E Hënë, 2 Nëntor 2026

Nano: Emigrantët shqiptarë të legjitimohen e të zgjidhen dhe në PASOK

04/03/2005  "Një anëtar i PSSH mund të jetë edhe anëtar i PASOK, dhe anasjelltas për të ndërtuar kështu, 'shengenin politik'"

Kryeministri i Shqipërisë, gjatë fjalës së mbajtur në Kongresin e 7-të të PASOK, ka kërkuar legalizimin për zgjedhjen dhe të emigrantëve shqiptarë si delegatë të lartë dhe anëtarë të kësaj partie. Duke bërë një paralelizëm me zhvillimet në Shqipëri, Nano tha se "një anëtar i PSSH mund të jetë edhe anëtar i PASOK, nëse dëshiron dhe anasjelltas për të ndërtuar kështu, 'shengenin politik'". Në Kongres, për herë të parë, morën pjesë dhe rreth 60 emigrantë shqiptarë, që banojnë në Greqi, të cilët janë anëtarët më të rinj të PASOK dhe që janë votuar si delegatë të kësaj partie. Duke vlerësuar këtë, Nano ka vënë theksin në intensifikimin e bashkëpunimit mes dy vendeve dhe veçanërisht mes dy partive PSSH-së dhe PASOK-ut. Kreu i ekzekutivit shqiptar ka përshëndetur gjithashtu faktin që "në këtë Kongres, i cili përfaqëson forumin më të lartë të partisë suaj, ju keni zgjedhur delegatë shqiptarë, anëtarët më të rinjë të PASOK. Ky është realiteti i ri i bashkëjetesës, për të cilin ne kemi dhënë bashkërisht një kontribut të veçantë". Dje, Kryeministri Nano ka takuar edhe Presidentin aktual të Greqisë, Kostandinos Stefanopulos, si dhe Presidentin e zgjedhur, Karolos Papulias. Në këto takime, kreu i ekzekutivit shqiptar ka vlerësuar kontributet që kanë dhënë të dy personalitetet në forcimin e marrëdhënieve të miqësisë dhe bashkëpunimit, si dhe për mbështetjen që i kanë dhënë Shqipërisë në rrugën drejt integrimit euroatlantik. Stefanopulos i ka shprehur Kryeministrit Nano vlerësimin për progresin e Shqipërisë, në zhvillimet ekonomike dhe rritjen e investimeve strategjike nga kompani prestigjioze. Gjithashtu, ai i ka cilësuar marrëdhëniet mes dy vendeve shumë të rëndësishme. Në qendër të bisedimeve kanë qenë dhe hapat që janë bërë nga qeveria shqiptare, në respektimin e të drejtave të minoritetit në Shqipëri, ku është marrë një vlerësim nga ana e Stefanopulos. Kryeministri Nano ka vlerësuar nga ana e tij hapat e ndërmarrë gjatë kësaj kohe, në funksion të normalizimit të qëndrimit dhe integrimit të emigrantëve tanë në Greqi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›