Vendimi. Dita e dëshmorëve nuk preket
04/03/2005 Amendamenti i paraqitur nga deputeti i PBK-së, Alfred Cako, për ndryshimin e datës së përkujtimit të dëshmorëve është rrëzuar dje me shumicë votash në seancën plenare të parlamentit. Me 64 vota kundër, 28 pro dhe 8 abstenime statusi i Dëshmorit të Atdheut dhe dita e përkujtimit të tyre u vendos që të mos ndryshojë. Ministri i Mbrojtjes, Pandeli Majko, gjatë fjalës së tij, tha se propozimi për të ndryshuar datën e përkujtimit të dëshmorëve nga 5 maj më 7 prill, do të prekte familjet e personave që janë vrarë gjatë Luftës antifashtiste Nacionalçlirimtare. "Ata që e kanë vendosur këtë datë kanë qenë në luftë. Nuk mund të ngrihemi ne, tashmë pas kaq vjetësh, dhe t'u themi familjeve të dëshmorëve që mos i përkujtoni të afërmit tuaj më në datën 5 maj, por më 7 prill se kështu duam ne", tha Majko. Nga ana e tyre, deputetët e opozitës thanë se ndryshimi i datës së dëshmorëve më 7 prill, ka të bëjë me rezistencën mbarëkombëtare, që iu bë pushtuesve në vitin 1939, ndërsa 5 maji, sipas tyre, është datë, e cila përkon me ditën e vrasjes së një militanti komunist dhe si e tillë nuk përfaqëson interesat e të gjithë Dëshmorëve të Kombit.