E Hënë, 2 Nëntor 2026

Gazi i shitur në katet e para kërcënim për jetën e banorëve

21/03/2005  FIER/ Policia bashkiake në pritje...

FIER - Shumë rrezikshmëri parqet tregëtimi i bombolave të gazit në pikat e tregëtimit në qytetin e Fierit. Të ngritura vend e pa vend, madje shumë prej tyre edhe poshtë pallateve, ato janë rrezik edhe për jetën e banorëve nga ndonjë pakujdesi e vogël e shitësëve ambulant.

Pikat e pakicës së tregëtimit të bombolave të gazit, janë kthyer në një makth për këdo banor që jeton fare pranë tyre. Jashtë çdo lloj kushti teknik, pikat e tregëtimit të gazit, ku pothuajse të gjithë prej tyre janë të palicensuar, janë bërë gjithnjë “pre” e policisë bashkiake dhe e punonjësve të MNZ Fier, por edhe pse përkohësisht ata e kanë mbyllur aktivitetin ose janë gjobitur, sërish kanë hapur pikën e tyre të shitjes, edhe pse tepër i rrezikshëm për vete dhe banorët.

Lidhur me këtë çështje, shefi i policisë bashkiake të Fierit, Agron Durmishi, pohon se së bashku me punonjësit e MNZ-së së prefekturës së Fierit dhe me policë të rendit, kanë organizuar një aksion për kontrollin e tyre ndaj kushteve teknike, licensimin, çmimin etj., dhe ky aksion do të vazhdojë deri në mbylljen e të gjithë pikave që tregëtojnë jashtë çdo lloj kushti teknik, duke rrezikuar jetën e qindra njerëzve.

”Një aksion të tillë kemi bërë ditët e fundit, dhe vetëm brenda një dite, ne kemi gjobitur 10 pika tregëtimi pakice, me 5 mijë lekë të reja, bazuar sipas urdhrit administrativ me firmë të kryebashkiakut Baftjar Zeqo. Gjithashtu, kemi bllokuar aktivitetin e disa pronarëve të pikave të shitjes së gazit.

Por, ne kemi vënë re një dukuri tjetër negative që, këta të fundit, kanë hapur sërish pikat e tyre. Në këtë rast, ka thënë shefi i policisë bashkiake Dyrmishi, ne do të bashkërendojmë punën me MNZ dhe do të vendosim një masë tjetër administrative, atë të ndjekjes penale”.

Rreziku ekziston pasi, gazi tregëtohet madje edhe në njësi ushqimore, sidomos në periferi dhe në këtë rast tregëtarët nuk kanë licensë për tregëtimin e gazit por të mallrave të tjerë ushqimore. Pikat e tregëtimit të gazit janë të shumta dhe nuk ka një numër të saktë për këtë, pasi çdo tregëtar i njësive të ndryshme mund të tregëtojë edhe bombola gazi.

“Nëse ky gaz që tregëtohet shpërthen, ka thënë Dyrmishi, atëherë, jo vetëm që mund të çahet tej e tej pallati, por është burim i tmerrshëm rreziku edhe për banorët e zonës përreth”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›