E Diel, 1 Nëntor 2026

Kufomë e paidentifikuar mashkulli gjendet e dekompozuar në bunker

21/03/2005  Dyshimet e policisë për ndonjë lypës e endacak pa familje

BERAT – Gjendet një kufomë mashkulli në fazë dekompozimi. Dje, rreth orës 12.00, banorët e lagjes së Kodrës mbi Gurin e Bardhë në Urën Vajgurore, janë bërë dëshmitarë të prezencës së madhe të forcave policore. Blutë i ka çuar atje, një telefonatë anonime, e cila ka lajmëruar policinë, se në një bunker mbi kodrat e kësaj lagjeje, është parë një kufomë, e cila sipas telefonatës, mbante erë të keqe. Po sipas telefonuesit, kufoma ndodhej tek bunkeri mes pishave, i cili është përdorur më parë, si vendkomandë e repartit të xhenios e ndërlidhjes.

Gjetja

Telefonata e bërë, ka ngritur në alarm policinë, e cila së bashku me grupin e ekspertëve të xhenios, është nisur menjëherë për në vendin ku u sinjalizua se ndodhej kufoma. Bashkë me ta, kanë shkuar atje edhe përfaqësues të prokurorisë së rrethit, si dhe mjeku eksperto-ligjor.

Sipas burimeve të policisë, njeriu që bëri telefonatën, mendohet të jetë një nga barinjtë e zonës, por që ka preferuar të mos deklarohet me emër.

Më pas, grupi i ekspertëve e ai xhenier, kanë hyrë në bunker, por kanë dalë shpejt andej, në pamundësi për të nisur punë sepse kufoma kishte erë të rëndë.

Kufoma

Pikërisht, për shkak të erës shumë të rëndë, grupi i hetimit është detyruar të pajiset me mjetet higjeno-sanitare, si doreza, kundërgaz, etj.

Sipas burimeve të policisë lokale, grupi i ekspertëve ka kryer proçedurat e para ligjore. Në vendndodhjen e kufomës, janë gjetur disa paketa cigare dhe një sasi e pakët ushqimesh ditore, të cilat ekspertët i kanë marrë në cilësinë e provës materiale.

Pas verifikimit dhe këqyrjes së kufomës, policia e ka dërguar trupin e dekompozuar në morgun e spitalit, për të bërë autopsinë dhe kontrollin e imët, për të përcaktuar shkakun e vdekjes dhe identitetin e tij.

Hetimi

Ndërsa policia kriminale, në bashkëpunim me prokurorinë dhe organet e pushtetit lokal të zonës, ka filluar menjëherë nga verifikimi i personave të humbur, të cilët janë denoncuar si të tillë nga familjarët. Kjo do të përbëjë një volum të madh pune për këto organe, ndaj dhe mendohet se do të duhen disa ditë për të identifikuar kufomën. Ndërkohë, ekspertët mjeko-ligjorë kanë nisur punën me marrjen e kampioneve të gjakut dhe shenja të tjera të tij, të cilat do t´i ekspozojnë edhe publikisht.

Ndërkohë, policia nuk ka vonuar të konfirmojë se viktima ka qënë i veshur me xhaketë të zezë, me pantallona kadife ngjyrë kafe dhe këpucë të zeza, duke kërkuar edhe ndihmën e banorëve për të dhënë informacione.

Burime policore kanë thënë dje për gazetën “Metropol”, se dyshimet e para të grupit të hetimit, janë se kufoma e gjetur dje në bunker mund të jetë e ndonjë lypësi apo endacaku pa familje. Gjithsesi, pritet dhe një përgjigje nga ekspertët për të përcaktuar nëse kufoma e djeshme, ka patur ndonjë vdekje natyrale apo është viktimë e ndonjë vrasje.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›