E Hënë, 2 Nëntor 2026

Nga Lushnja, dy thika vdekjeprurëse në Fier

21/03/2005  Vritet në rrethana të pazbardhura

FIER - Vritet në Fier, me thikë një shtetas nga Lushnja.

Vrasja e radhës ka tronditur mbrëmjen e djeshme qytetin e Fierit. Fehmi Qose, nga Lushnja është gjetur i vrarë me thikë nga një person ende i paidentifikuar nga policia.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 18.45 në fshatin Marinëz në aksin rrugor Fier-Berat, rreth 10 km larg qytetit të Fierit. Sipas të dhënave paraprake, motivi i vrasjes së ndodhur mbrëmë, dyshohet të jetë hakmarrja.

Ndërkohë që, deri në orët e vona të mbrëmjes së djeshme, nuk është prerë asnjë fletë arresti për ndonjë të dyshuar si autor vrasje. Policia ka bërë ndërkohë disa shoqërime, por nuk ka bërë të ditur identitetin e tyre dhe lidhjet e mundëshme me ngjarjen.

Ngjarja

Viktima Fehmi Qose, është gjetur nga një kalimtar i rastit buzë rrugës nacionale Fier – Berat, pothuajse pa jetë, me dy thika të ngulura një në gjoks dhe një në afërsi të veshkës. Menjëherë viktima është çuar në spital, por bluzat e bardha nuk kanë mundur që t’i japin asnjë lloj ndihme mjekësore, pasi goditjet kanë qënë fatale për jetën e tij. Menjëherë pas marrjes së informacionit për ngjarjen e ndodhur, në vendngjarje kanë shkuar forcat e policisë kriminale dhe oficerë të policisë gjyqësore, të cilët kanë bërë këqyrjen e vendit si dhe kanë kryer veprimet e para proceduriale.

Sipas shefit të krimeve të komisariatit të Policisë së Fierit, mësohet se ngjarja ka ndodhur rreth orës 18.45 minuta, në zonën naftëmbajtëse të Marinzës. Por, sipas tij, në fazën e parë të hetimit, mbrëmjen e djeshme, jo shumë kohë pas vrasjes akoma ishin misterioze arsyeja e vajtjes së viktimës në Marinëz. Ai është gjetur i vrarë me dy goditje të armës së ftohtë, thikë, goditje e cila i ka marrë edhe jetën.

Hetimet

Burime jozyrtare, por të besueshme në komisariatin e policisë së Fierit, pohojnë se janë shoqëruar në polici tri persona, por ende nuk është identifikuar autori i ngjarjes. Burimet policore zyrtare nuk japin informacion mbi motivin, por dyshohet që të jetë më e mundshme pista e hakmarrjes.

Trupi i pajetë i Qoses ndodhet në morgun e qytetit të Fierit për ekspertizë ligjore, ndërsa burimet zyrtare policore pohojnë se po punojnë për identifikimin, kapjen dhe zbardhjen e këtij krimi të rëndë.

Gallatë apo gafë

Policia ngatërron identitetin e viktimës

Pas vrasjes së mbrëmshme në Fier, policia e Fierit, nxitoi dhe “identifikoi” si viktimë, 53-vjeçarin nga lagja Zhupan e Fierit, H. L. Jo vetëm kaq, por në kohë rekord, burime të policisë bënë edhe CV e “viktimës”.

Pas publikimit të lajmit në një TV, kanë qenë familjarët e H. L., të cilët reaguan menjëherë. Duke kontaktuar me TV, ata bënë të ditur se i afërmi i tyre H. L., ishte gjallë.

Pas kësaj, ata kontaktuan edhe me policinë.

Nga ana e saj, drejtues të policisë lokale, menjëherë kontaktuan me median dhe “korrigjuan” gafën e tyre.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›