E Hënë, 2 Nëntor 2026

“Mbi 30 pika tregtimi gazi,janë jashtë standarteve”

21/03/2005  Reagon kreu i zjarrfikseve Vasil Bregu

Pikat e tregtimit më pakicë të gazit nuk janë problem vetëm për banorët e policinë bashkiake, por edhe për zjarrfikësit, të cilët janë të parët pas banorëve që dëmtohen, të cilët përballen me pasojat e këtij tregëtimi jo të rregullt. Në çdo rast zjarri të shkaktuar nga gazi, janë pikërisht punonjësit e mbrojtes kundër zjarrit që përballen me gjuhët e flakëve, duke vënë dhe jetën e tyre në rrezik për t’i shuar.

Shefi i zjarrëfikëseve pranë prefekturës së Fierit, Vasil Bregu, pohon se janë 4 shoqëri të mëdha të tregëtimit të gazit me pronar, ndërsa kanë 4 filialet e tyre larg qendrave të banuara. Të gjitha pikat e mëdha të shumicës së gazit janë në rregull me kushtet teknike të tregëtimit, ka pohuar, ndërsa nuk mund të thuash një gjë të tillë për njësitë e vogla, të cilat shkaktojnë jo pak tragjedi saje kushteve të tregëtimit.

Në një intervistë të dhënë për gazetën “Metropol”, kreu i zjarrfikëseve ka dhënë detaje të rrezikut më të cilin përballen qytetarët dhe ato vetë nga tregtimi jo i rregullt i bombulave të gazit.

Sa shoqëri të tregëtimit të gazit janë në Fier?

Janë 4 shoqëri të mëdha të cilat kanë filialet e tyre larg qendrave të banuara ashtu siç duhet të jenë ngritur. Problem janë pikat e vogla të cilat janë bërë shpesh “gjuetia“ jonë, jo sepse ne duam të hapim probleme sociale, por ruajmë jetën e banorëve në rast reziku. Nëse ndodh një pakujdesi, një harresë e vogël e secilit prej atyre që tregëton, atëherë ndodh katastrofa.

Sa pika të tilla tregtimi janë në Fier?

Jashtë çdo parametri teknik janë mbi 30 pika, por nuk ka një numër të saktë të tyre, pasi çdo tregëtar qoftë dhe i njësive ushqimore, mund të tregëtojë edhe gaz. Kjo është edhe më e rrezikshme.

Në përgjithësi, njësitë e vogla janë jashtë kushteve teknike?

Të gjitha.

Atëherë çfarë masash administrative keni marrë?

Kemi bërë një aksion së bashku me policinë bashkiake ditët e fundit të vitit, ku kemi gjobitur njësitë e vogla të tregëtimit për kushtet teknike. Por ato hapen sërish.

Po sekuestrim malli, mund të bëhet nga ana juaj?

Jo, atë e ka në dorë vetëm policia tatimore, e cila u kontrollon liçensën.

Ndonjë masë e re do të merret nga ana juaj?

Do të ketë masa më të rrepta. Do t’u kërkojmë instancave përgjegjëse mbylljen e të gjitha pikave brenda në qytet.

Veç problemit social nuk do të ketë problem për konsumatorët?

Është më mirë të ruajmë jetën e tyre, sesa të kujdesemi për atë që nëse pikat janë larg ose afër. Mund të marrë ndonjë leje në bashki, të ngrejë njësinë brenda kushteve teknike dhe kështu problemi i mundimshëm i bombulave zgjidhet.

Mundësitë e MNZ

Gjoba e kallëzime penale për tregtarët e vegjël

Nga gjobitja deri në kallëzim penal. Kaq është në dorë të repartit të zjarrfikëseve për të bërë ndaj tregtimit jo të rregullt të bombulave të gazit. Shefi i zjarrfikëseve, Vasil Bregu, ka sqaruar për gazetën “Metropol” se ata si MNZ, në bazë të ligjit 8766 për policinë e MNZ dhe Shpëtimit, mund të gjobisin nga 50 mijë lekë deri në 1 milion lekë të vjetra si dhe të bllokojnë njësinë dhe deri në kallëzim penal në rast se kemi konstatuar një vepër penale me pasojë nga gazi. “Rasti i fundit nuk është bërë dot i mundur, por jemi gati të çojmë edhe për procedim penal, pasi ne i mbyllim njësitë e tyre, ata i hapin prapë, ka sqaruar Bregu. Nuk do presim që,kur të ndodhë katastrofa të çojmë në prokurori shkaktarët, pasi, siç dimë, ka pasur shumë raste të vdekjes nga gazi, ka përfunduar shefi i MNZ së Fierit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›