Sërisht në grevë shoferët e furgonëve
21/03/2005 ELBASAN - Shoferët e furgonëve në Elbasan janë hedhur sërish në grevë. Megjithëse nuk është hera e parë që drejtuesit e furgonëve 8+1 dalin në protestë, duket se kjo ka mbetur rruga e vetme për to, për të arritur në plotësimin e kërkesave të tyre. Sipas shoferëve të furgonëve ata besojnë se gjatë kësaj jave protesta mund të shtrihet edhe në qytete të tjera të vendit. Një muaj më parë, nën presionin e shoferëve të autobuzëve, një urdhër i ministrisë së Transporteve dhe Telekomunikacioneve, ndaloi shoferët e furgonëve të marrin udhëtarë gjatë rrugës së kthimit për në qytetet e tyre. Por drejtuesit e taksive 8+1 vazhdojnë të protestojnë mbi këtë fakt. Edhe gjatë javëve të kaluara, ata kanë dalë në protesta të njëpasnjëshme, por deri më tani drejtuesit e furgonëve taksi, akoma nuk kanë marrë ndonjë përgjigje pozitive për zgjidhjen e kërkesës së tyre.