E Shtunë, 31 Tetor 2026

MJAFT: PS na vodhi sloganin, nuk shkojmë në protestë

 

Lëvizja “Mjaft” nuk do të marrë pjesë në protestën e së dielës që organizon Partia Socialiste për tragjedinë e Gërdecit. Shkak për këtë është bërë huazimi nga ana e socialistëve të sloganit që Lëvizja “Mjaft” kishte zgjedhur për të protestuar në 15 mars larg flamujve partiakë. Drejtuesja e Lëvizjes, Elisa Spiropali tha dje për “Panorama”, se “MJAFT si organizatë jo politike dhe shprehja më e spikatur e shoqërisë civile në Shqipëri nuk kërkon që kjo datë, 15 Marsi të marrë ngjyra partiake. Ne kishim shpallur kohë më parë aktivitetet përkujtimore “Mos harro” në kujtim të 26 viktimave dhe qindra të plagosurve nga një krim i mirëfilltë shtetëror, ndërsa Partia Socialiste e huazoi duke e politizuar këtë përkujtimore”. Sipas drejtueses së Lëvizjes, anëtarët e saj bashkë me banorët do të injorojnë çdo organizim të organizuar nga partitë politike në 15 mars dhe do të organizojnë një aktivitet të tyrin pas kësaj date. Përfaqësuesit e “Mjaft” e kundërshtuan që ditën e parë shpalljen nga partitë politike të protestave në homazh të viktimave të një viti më parë. Në një komunikatë publike dy javë më parë, “Mjaft” u shpreh se, “në datën 9 shkurt, kur lançuam fushatën e 15 Marsit, me qëllim sensibilizimin e qytetarëve mbi tragjedinë e Gërdecit, deklaruam gjithashtu se më 15 mars të këtij viti do të organizonim një manifestim qytetar në sheshin ‘Skënderbej’ për të kërkuar përgjegjësi për këtë tragjedi”. Sipas tyre, premtimi kryesor i kësaj lëvizjeje dhe fushate për të kërkuar përgjegjësi për Gërdecin ishte se ky manifestim nuk do të ndodhte nën asnjë flamur politik. “Duke marrë shkas nga angazhimi më i fundit i opozitës shqiptare për të krijuar evenimente paralele për këtë çështje, ne (Lëvizja “Mjaft!” dhe të gjithë ata qytetarë të angazhuar në këtë fushatë), shprehim indinjatën tonë ndaj opozitës dhe zotohemi të mbajmë premtimin tonë se kjo fushatë do të jetë në çdo moment apolitike”, premtoi “Mjaft!”. Rreth një vit pas tragjedisë së rëndë të Gërdecit, ende për banorët nuk ka një përgjigje për përgjegjësit. Ndërkaq Fronti qytetar “15 marsi” nën organizimin e Lëvizjes “Mjaft” ka nisur fushatën për zbardhjen e plotë të tragjedisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›