E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tragjedia e Gjirokastrës, sekuestrohen pasuritë e firmës “Arti”

Pasuritë e paluajtshme, si dhe llogaritë bankare të dy bashkëpronarëve të firmës ndërtuese “Arti” sh.p.k., përgjegjës për tragjedinë e Gjirokastrës, u sekuestruan pas urdhrit të hetuesve. Sektori i Luftës Kundër Krimit Ekonomiko-Financiar në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjirokastër kanë bërë evidentimin dhe më pas sekuestrimin e pasurive të paluajtshme të Sotiraq Janoras dhe Aristotel Haxhit. Po ashtu, është bërë ngrirja e të gjitha llogarive bankare në të gjitha bankat e nivelit të parë dhe të dytë të këtyre personave. Në prangat e policisë ka rënë njëri prej bashkëpronarëve Janora, ndërsa Aristotel Haxhi, vazhdon të jetë në kërkim dhe po punohet për arrestimin e tij. Të dy këta persona konsiderohen si përgjegjës nga ana e hetuesve për shembjen e një pallati 5-katësh në lagjen “11 janari”, nga ku humbën jetën tre persona dhe u plagosën disa të tjerë. Janora dhe Haxhi ishin pronarë të firmës së ndërtimit, e cila në kundërshtim me rregullat dhe ligjet, kishte nisur punimet për një pallat të ri, shumë afër ndërtesës ku ndodhi tragjedia. Përveç njërit prej bashkëpronarëve, në prangat e policisë ranë edhe tetë persona të tjerë. Këta ishin punonjës të firmës, inxhinierë, si dhe punonjës në Bashkinë e qytetit të Gjirokastrës. Sipas burimeve të Prokurorisë së Gjirokastrës, ditën e sotme do të paraqitet dosja në gjykatë, për masën e arrestit ndaj 9 të akuzuarve.

Pas hetimeve paraprake të kryera, Policia e Shtetit nisi një aksion për të vënë në pranga të dyshuarit si shkaktarë të kësaj ngjarjeje. Vetëm disa orë pasi ndodhi ngjarja, në prangat e policisë ranë dy projektuesit e firmës “Arti” sh.p.k., Luan Bufi dhe Njazi Çobani. Në pranga ranë gjithashtu Admir Shehaj, Afërdita Papamihali, Thanas Llahana, , Jani Ndrico, Alfred Mamani, e Gjergji Mece.

Sipas hetuesve, shkak i kësaj ngjarjeje të rëndë ka qenë shkarja e dheut, e cila ka ardhur si pasojë e hapjes së themeleve të një pallati tjetër, ngjitur me atë të shembur. Punimet e pallatit po bëheshin nga firma ndërtuese “Arti” sh.p.k. Sipas burimeve të policisë, hetimet për zbardhjen e plotë të aktivitetit të firmës “Arti” dhe marrëdhëniet me Zyrën e Urbanistikës dhe KRRT-në e bashkisë së qytetit vazhdojnë në mënyrë intensive. Akuzat me të cilat personat e kërkuar do të përballen janë ato të “shpërdorimit të detyrës”, si dhe “shkeljes së rregullave të punës”. Agjentët po punojnë për kapjen e bashkëpronarit të dytë të firmës, i cili pas ndodhjes së tragjedisë është larguar në drejtim të paditur.

Të arrestuarit e tragjedisë së Gjirokastrës

1. Admir Shehaj, përgjegjës në Inspektoratin e Ndërtimit në Bashkinë Gjirokastër

2. Afërdita Papamihali, sekretare e KRRT-së pranë Bashkisë së Gjirokastrës

3. Thanas Llahana, inxhinier gjeolog

4. Alfred Mamani, shef i urbanistikës në bashkinë e qytetit

5. Jani Ndrico, ekskavatorist në firmën “Arti” sh.p.k.

6. Njazi Çobani, arkitekt i shoqërisë së ndërtimit “Arti” sh.p.k.

7. Luan Bufi, inxhinier ndërtimi i “Arti” sh.p.k.

8. Sotiraq Janora, president dhe drejtues teknik i shoqërisë së ndërtimit “Arti” sh.p.k.

9. Gjergji Meçe, inxhinier zbatues i shoqërisë së ndërtimit “Arti” sh.p.k.

Në kërkim

Aristotel Haxhi, bashkëpronar i firmës “Arti” sh.p.k.

Tragjedia e Gjirokastrës

Shërbimi gjeologjik: Nga mungesa e masave gjatë ndërtimit

“Tragjedia e së dielës në Gjirokastër erdhi si pasojë e shkëputjes së dherave nga ndërhyrja e njeriut dhe nga mungesa e masave të marra për shmangien e problemeve”, - tha pas inspektimit të vendit të ngjarjes nga grupi i posaçëm i Shërbimit Gjeologjik, drejtori i tij, Adil Neziraj. Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Gjeologjik Shqiptar renditi si një nga pikat e domosdoshme të ndërtimit të pallateve, kontrollin profesional në fazën e ndërtimit për zbatimin e projektit gjeologjik.

Sipas Adil Neziraj, kjo procedurë duhet të zbatohet me rigorozitet nga organet kompetente, për të shmangur tragjedi të tilla si ajo e Gjirokastrës.

Neziraj përmendi disa probleme të fushës gjeologjike, por që lidhen me sektorin e ndërtimit. “Për marrjen e një leje ndërtimi duhet patjetër të merret studimi gjeologjik i terrenit, që në pjesën më të madhe të rasteve sigurohen nga gjeologë privatë, edhe pse në Shërbimin Gjeologjik Shqiptar një zyrë e posaçme siguron shërbime gjeologjike për firmat ndërtuese”, - u shpreh kreu i Shërbimit Gjeologjik Shqiptar. Sipas tij, problem mbetet dhënia e licencave profesionale për gjeologët, të cilat nuk jepen nga Shërbimi Gjeologjik Shqiptar, institucion kompetent për këtë.

Neziraj kërkoi gjithashtu përfshirjen e gjeologëve si pjesë e KKRT dhe KRT-ve, për të shmangur tragjedi si ajo e Gjirokastrës. Shërbimi Gjeologjik Shqiptar, duke marrë shkas nga shembja e pallatit në Gjirokastër, ka nisur një grup të posaçëm, për të kryer një inspektim më të gjerë në zonën Gjirokastër-Kakavijë-Kala. Sipas Nezirajt, këto të dhëna do të bëhen së shpejti publike, duke qartësuar gjendjen e terrenit për ndërtime.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›