E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Gazoil”, 5 nëpunës të arrestuar për vjedhjen e karburantit

Ka shfrytëzuar turnin e natës për të nxjerrë nga magazina e Kombinatit të Përpunimit të Thellë të Naftës në Ballsh një sasi të konsiderueshme gazoili. Madje, ka menduar më së miri dhe për transportin e saj, ku për këtë do të bashkëpunonte edhe një punonjës i ARMO-s, si dhe tre punonjës policie privatë të kësaj firme. Por, dyshimet për një kohë të gjatë të policisë së Fierit pas disa denoncimeve të drejtuesve të firmës ka bërë që këtë herë autorët e vjedhjes së karburantit të kapen me “presh në dorë”. Pesë persona, mes tyre përgjegjësi i turnit, një punëtor, si dhe tre policë privatë të punësuar nga firma, janë arrestuar në kushtet e flagrancës, pasi janë kapur duke transportuar 50 bidonë me gazoil në një furgon të destinuar për shitje.

Lajmi është konfirmuar një ditë më parë nga burime të policisë së Fierit, ku sipas të cilave, ka qenë Sektori Kundër Krimit Financiar në Drejtorinë e Policisë së qarkut Fier, që në kuadër të operacionit të koduar “Gazoil”, ka vënë në pranga Taulant Çelën, 33 vjeç, nga Mallakastra, punëtor, Ahmet Metohun, 44 vjeç nga Ballshi, Genci Mahmutaj, 34 vjeç, nga Fieri, Ilir Shehaj, nga Fieri, të tre policë me kontratë, si dhe Viron Pashajn, 33 vjeç, përgjegjës turni në pikën e shitjes së lëndëve djegëse në KPTHN Ballsh.

Policia tha se të pestë kanë kryer veprën penale të vjedhjes, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, duke shpërdoruar detyrën e ruajtjes së reparteve të prodhimit e të shitjes së lëndëve djegëse në Ballsh dhe duke vjedhur që andej një sasi prej rreth 1.500 litrash gazoil. Ata kanë arritur të mbushin rreth 50 bidonë me kapacitet secili 28 litra me gazoil, me qëllim vjedhjen e gazoilit. Pas arrestimit të tyre në flagrancë, policia ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale 50 bidonët plastikë të mbushur me gazoil, si dhe tre automjete të tyre. Materialet i kanë kaluar organit të akuzës për veprime të mëtejshme hetimore.

Vjedhja te “Bechtel-Enka”

Vjedhja e ARMO-s nga pesë punonjësit e saj nuk ka qenë e vetmja e këtij lloji. Pasditen e së mërkurës, policia e Lezhës vuri në pranga Fatmir Çelën, 30 vjeç nga Kamza, Tiranë. Sipas zëdhënëses së policisë së Lezhës, Liona Nika, një ditë më parë, mësohet se rreth orës 23:30 të së mërkurës, Çela është kapur në flagrancë duke vjedhur një sasi prej 500 litrash karburant, nga automjeti tip MAN autobot, me targë TR 3562 N, në pronësi të firmës ALPET, e cila furnizonte me karburant kompaninë “Bechtel-Enka”, firma ndërtuese e rrugës Durrës-Kukës.

Sipas policisë, dyshohet që në vazhdimësi e kryente këtë veprim, duke vjedhur sasi të konsiderueshme nafte, në dëm të kompanisë “Bechtel-Enka”. Pas denoncimit të bërë nga ana e kësaj kompanie në Drejtorinë e Policisë së Lezhës, kjo e fundit u vu në lëvizje, duke ngritur grupin e punës dhe duke hetuar për rastin në fjalë.

Sipas hetimeve, sekuestrimi i sasisë së karburantit u bë në automjetin furgon, tip “Ford”, me targa LA 16445 A, në të cilën 30-vjeçari kishte futur 24 bidonët plastikë të mbushur me naftë, që kapnin sasinë e 500 litrave.

Ndërkohë, po vazhdojnë hetimet për verifikimin e implikimit ose jo të personave të tjerë në lidhje me këtë fenomen, i cili është bërë shqetësim i vazhdueshëm i kësaj kompanie.

Të arrestuar

Viron Pashaj, 33 vjeç, përgjegjës turni në pikën e shitjes së lëndëve djegëse në KPTHN Ballsh

Taulant Çela, 33 vjeç, punëtor në KPTHN

Ahmet Metohu, 44 vjeç, polic me kontratë në KPTHN Ballsh

Genci Mahmutaj, 34 vjeç, polic me kontratë

Ilir Shehaj, polici me kontratë

Shifra

1500 litra gazoil janë vjedhur nga magazina e ARMO-s në Ballsh

500 litra naftë janë vjedhur nga autoboti i kompanisë “Bechtel-Enka”

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›