E Shtunë, 31 Tetor 2026

Universiteti Bujqësor ndryshon procedurat e provimeve për studentët

UBT Rektori Harizaj: Korrupsionin në radhët tona duhet ta luftojmë të gjithë

Rektorati i Universitetit Bujqësor të Kamzës ka vendosur që të ndryshojë procedurat e provimeve për studentët. Një masë e tillë është marrë menjëherë pas përfshirjes në skandalin e korrupsionit të një grupi pedagogësh të këtij universiteti, të cilët u akuzuan se në bashkëpunim me sekserë u jepnin provimet studentëve kundrejt shumave të caktuara të parave.

Dje, rektori i UBT-së, Edmond Harizaj, është shprehur se rektorati ka vendosur që studentët në këtë sezon do të përgjigjen në provime me gojë në prezencë edhe të të rinjve të tjerë. Ata do të tregojnë përgatitjen e tyre përpara një komisioni të zgjedhur pedagogësh të lëndës. Një gjë e tillë, sipas rektorit Harizaj, do t’i vinte fre përgojimit për raste korruptive dhe do t’i bënte transparente procedurat e provimeve, por edhe ato të vlerësimit të studentëve në këtë universitet.

Tejet i hapur është treguar rektori Harizaj, për sa i përket çështjes së korrupsionit, në shkollat e arsimit të lartë. Ai ka pohuar se fenomeni i korrupsionit edhe pse ekziston edhe në universitetin që drejton, të gjithë duhet të bëjnë punën e tyre për ta parandaluar atë. Këtu ai ka përmendur shtetin, por edhe struktura të tilla si rektoratin, pedagogët madje edhe vetë studentët.

Korrupsioni në radhët e pedagogëve është një fenomen mjaft i përfolur ku shumë studentë pranojnë që japin para për të marrë provimet, por askush nuk ka marrë iniciativën që të denoncojë në prokurori raste të tilla. Këto denoncime kanë ardhur kryesisht përmes medias. Ndërkohë që edhe për rastin e denoncuar së fundmi të gjashtë pedagogëve të Universitetit Bujqësor të Tiranës prokuroria nuk mundi që të mbledhë prova të mjaftueshme që i fajësonin ata. Edhe Kryeministri Sali Berisha në një aktivitet të zhvilluar së fundmi me pjesëmarrjen e drejtuesve të arsimit të lartë pohoi publikisht fenomenin e korrupsionit në marrjen e provimeve në universitete. Ai e ka konsideruar këtë si një akt të rëndë dhe të dënueshëm.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›