Zjarr në kodrat e Bushatit, rrezikohen banesat
Një situatë e rënduar ka vazhduar në zonën e Shkodrës, ndërsa raste të ngjashme ka pasur në Berat e Fushë-Krujë
SHKODËR Ndërhyrja e dy mjeteve ajrore për fikjen e zjarrit të ardhura nga Mali i Zi ka qenë vendimtare për shuarjen e zjarrit në Zogaj, në një territor ku zjarrfikëset dhe forcat e angazhuara e kishin të pamundur të afroheshin. Ndërkaq vatra të tjera zjarri janë shfaqur në zona të tjera të qarkut të Shkodrës, ndonëse jo në ato përmasa si në Tarabosh, Shirokë e Zogaj. Zjarri ka përfshirë shkurre e pemë në kodrat e Bushatit, ku përveç disa banesave rrezikohet dhe reparti ushtarak dhe disa antena të telefonisë së lëvizshme në kodrën e Zefjanës. Për shuarjen e zjarrit janë angazhuar banorë të zonës, policë pyjorë e zjarrfikës. Të tjera vatra zjarri janë shfaqur gjatë të martës dhe në majën e malit të Cukalit, në fshatin Luarzë të komunës Velipojë etj. Ndërkohë një zjarr i përmasave të mëdha është regjistruar gjatë ditës së djeshme në fshatin Sinjë në rrethin e Beratit, ku sipërfaqe të tëra me shkurre janë shkrumbuar nga flakët, ndërkohë që dhe raste të tjera zjarri janë regjistruar në kodrat me pisha në qytet si dhe disa fshatra në toka me ullishte. Kanë qenë banorët ata të cilët sapo kanë parë shfaqjen e flakëve të zjarrit kanë kërkuar ndihmën e sektorit të zjarrfikëses. Zjarri i përmasave të mëdha, ndihmuar dhe nga temperaturat e larta dhe era, ka përparuar me shpejtësi duke djegur krejtësisht kodrat me shkurre të kësaj zone. Janë regjistruar raste të ngjashme të rënies së zjarreve në kodrat me pisha në qytetin e Beratit si dhe në fshatrat Lapardha e Tërpan. Raste të rënies së zjarreve ka pasur dhe në kodrën e quajtur "Lisi i Beçit". Mjetet dhe punonjësit zjarrfikës kanë ndërhyrë edhe në fshatin Lapardha ku disa hektarë tokë mbjellë me ullinj janë përfshirë nga flakët. Ndërkohë dje një zjarr i fuqishëm ka shpërthyer në lagjen e “Dervinëve” në Fushë-Krujë. Zjarri ka qenë i menjëhershëm dhe ka rrezikuar banesat të cilat ndodhen në këtë lagje. Ndërhyrja e shpejtë e repartit të zjarrfikësve ka bërë që brenda 30 minutave flakët të vihen nën kontroll dhe më pas të shuheshin. Dyshohet se zjarrvënia ka qenë e qëllimtë, për arsyeje të hapjes së tokave për kullota. Për pasojë janë djegur një sipërfaqe me shkurre dhe një pjesë pisha prej gjysmë hektari. Policia e Fushë-Krujës ka nisur hetimet për gjetjen dhe arrestimin e zjarrvënësve.