Qëllohet me pistoletë, arrin të mbijetojë
ELBASAN Një plagosje me armë zjarri është regjistruar një natë më parë në afërsi të teatrit “Skampa” në Elbasan. Ngjarja ndodhi rreth orës 23.00, kur një person me pistoletë ka qëlluar disa herë në drejtim të shtetasit Bledar Musaj, 25 vjeç. I bindur se kishte ekzekutuar kundërshtarin, autori është larguar më pas me shpejtësi nga vendi i krimit. Ndërsa i lënduari është dërguar në spitalin kirurgjik, dhe pas një ndërhyrje të gjatë operatore, ka mundur të mbijetojë, sipas mjekëve. Në vendin e ngjarjes shkuan policia dhe grupi hetimor. Burime të policisë Elbasan bëjnë me dije se kanë arritur të identifikojnë autorin dhe po punojnë për kapjen e tij. Sipas të dhënave të para, shkak i konfliktit ka qenë një grindje banale. Dëshmitarë okularë, por edhe burime policore, pohuan se ngjarja ka ndodhur në një fastfood, diku afër teatrit “Skampa”. Bledar Mustafaraj punonte bashkë me bashkëshorten në këtë fastfood dhe dyshohet se atentatori ka ngacmuar të fejuarën e tij. Ky ka qenë shkaku i grindjes fillestare e cila më pas ka degjeneruar në përdorimin e pistoletës nga agresori. Policia bëri të ditur se kapja e tij është çështje kohe. F.S.