E Diel, 1 Nëntor 2026

Klodian Duro: E shikoj veten në kombëtare, kam ende për të dhënë

Nga Erjon Hamitaj

34-vjeçari i bardhebluve nuk e ndien veten të larguar nga kombëtarja, ai mendon se ka akoma potenciale për fanellën kuqezi dhe pret i qetë

Ditën e sotme, skuadra jonë kombëtare do të zhvillojë ndeshjen miqësore kundër Azerbajxhanit. Një nga futbollistët që nuk figuron në listën e të grumbulluarëve në kombëtare për këto dy takime miqësore është Klodian Duro, që këtë sezon e ka nisur te 24-herë kampionët e vendit. Te Tirana ai po tregon ende cilësitë e tij në fushën e lojës dhe kjo është parë në dy takime mjaft delikate që ka pasur klubi bardheblu në këtë kampionat.

Në transfertën e Shkodrës ai ka shënuar golin e barazimit, ndërsa ndaj Skënderbeut disa ditë më parë ka mbajtur pothuajse gjithë peshën e lojës. Pra, duket qartë që ai është një motor në gjendje të mirë pune që i shërben mirë skuadrës së tij aktuale, po ashtu edhe kombëtares.

Duro ka luajtur 78 takime zyrtare me ekipin kombëtar dhe ka shënuar 6 gola. Sipas performancës që ai po tregon, e ndien veten në kombëtare dhe kjo situatë për të është e përkohshme dhe lidhet më shumë me mungesën e një trajneri në ekipin tonë përfaqësues.

Ekipi kombëtar E pres me sportivitet këtë gjë. Unë kam kontribuar për shumë kohë në ekipin kombëtar dhe normalisht ajo që kam në dorë unë është të tregoj formën time nga java në javë këtu në ekipin aktual. Jam pjesë e Tiranës dhe kam një rol kyç dhe kam treguar se kam vlera dhe në kampionat ndodhemi në vendet e para të klasifikimit që nga fillimi. Është një periudhë e vështirë te kombëtarja, pasi primare është gjetja e trajnerit.

Kam luajtur aq shumë në kombëtare, saqë këto dy ndeshje miqësore nuk është së ma heqin kontributin tim në kombëtare, por unë do të tregoj me formën time nga java në javë që jam i denjë për ekipin kombëtar, pasi kam ende për të dhënë në këtë ekip.

Trajneri i kombëtares Do të ishte mirë që në këtë periudhë ekipi të kishte trajnerin e vet dhe, me sa jam i informuar, federata po punon për të gjetur një të tillë. Do të më vinte mirë që të ishte mbyllur gjithçka pozitivisht me Hasin dhe të sot të kishim trajnerin tonë në kombëtare dhe në këto dy miqësore të kishim dalë mirë. Mbi të gjitha, për trajnerin nuk është se më përket mua të flas, por thjesht nga eksperienca që kam në kombëtare, po jap një mendim.

Të rinjtë Për të gjithë, dyert e kombëtares kanë qenë të hapura, qoftë i ri apo i vjetër në moshë, sidomos në ditët e sotme të rinjtë e kanë pasur derën e hapur në kombëtare dhe normalisht do të thosha se ashtu siç Roshi hyri në këto dy takime të fundit dhe i dha një shkëndijë, kjo tregon se ai ka potenciale për kombëtare dhe uroj që të rritet nga ndeshja në ndeshje. Megjithatë, kështu duhet të bëjnë të gjithë ata të rinj që mendojnë se duhet të veshin fanellën e kombëtares.

Tirana Me meritë gjatë gjithë këto javë të kampionatit kemi qenë në krye. Ashtu si Teuta që qëndron në vendin e dytë në tabelën e klasifikimit me disa ndeshje që ajo i ka patur të lehta, ashtu do të vijnë dhe për ne, kështu që gjithçka do të rikuperohet dhe ne së shpejti do të dalim sërish në krye dhe do ta mbyllim kështu.

Këtë e them me bindje të plotë, sepse ekipi ka një paraqitje pozititve në çdo ndeshje ashtu si dhe me Skënderbeun ku nuk arritëm të fitonim. Kjo nuk do të thotë se nuk i kishim mundësitë e fitores, por duhet parë se luanim kundër kampionëve në fuqi, që në përbërje kanë lojtarë cilësorë dhe emra të futbollit tone, ka deklaruar ndër të tjera Klodian Duro.

 

Rubio, një trajner i hapur dhe me humor

Trajner i mirë që vjen nga një shkollë me cilësi në futbollin spanjoll dhe që ka arritur të krijojë një ekip të denjë për titull. Për mua jo vetëm trajneri, por e gjithë skuadra, nga lojtari më kyç e deri tek ai që është zëvendësuesi i fundit, ka meritë të veçantë për këtë ecuri pozitive. Të gjithë punojnë me përkushtim dhe japin maksimumin.

Marrëdhëniet futbollistë-trajner janë shumë të mira. Kjo mbështetet në faktin se ai është i hapur me ne dhe, siç e ka parë kushdo, ne shkëmbejmë shumë batuta gjatë kohës së trajnimit. Për sa u përket vendimeve që merr, unë nuk mund të ndërhyj absolutisht, sepse për këtë vlerësohet trajneri. Ai ka përgjegjësitë e tij, ndaj dhe futbollistët duhet të bëjnë detyrën e tyre dhe e filloj nga vetja e te të gjithë me radhë.

 

Synimet na bëjnë të mos falim as Tomorin

Këto ditë kemi pushime, pasi luhen ndeshjet e kombëtares dhe po punojmë që të rikuperojmë dhe futbollistët e dëmtuar gjatë ndeshjeve të kaluara. Me ardhjen e tyre në formë do të jemi më të konsoliduar dhe do të shikojmë këtë takim ashtu si dhe të të tjerët si një finale, pasi çdo ekip që kërkon të dalë kampion duhet ti konsiderojë të gjitha ndeshjet si një finale dhe nuk duhet ti shikojë ato në letër. Tomori, pavarësisht se çfarë ka treguar në javët e para, ka potencialet, ndaj e vlerësoj si ekip. Përderisa ka arritur në këtë kategori, normalisht që ka ardhur për pike, prandaj ne duhet të tregojmë kujdes të veçantë.

Emri:              Klodian Duro

Datëlindja:    21.12.1977

Vendlindja:   Elbasan

Pozicioni:                  Mesfushor

Ekipi aktual: Tirana

Gjatësia:                    177 cm

Pesha:             74 kg

78 Ndeshje është aktivizuar me kombëtaren Klodian Duro, 1 më pak se Lala dhe 3 më shumë se Skela. Pastaj vijnë Strakosha me 74 ndeshje, Tare 68, Bushi 68, Haxhi 67 dhe Bogdani 64. Duro ka shënuar 6 gola me ekipin kombëtar

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›