Gelbard:Bushi la mënjanë Ballkanin

Ish i dërguari amerikan për Ballkanin, Robert Gelbard ka kritikuar administratën e presidentit Bush, duke thënë se, në mandatin e parë ajo e kishte injoruar Ballkanin, ndërsa në mandatin e dytë ishte kryesisht e përkushtuar në Kosovë. "Gjatë disa viteve të kaluara kam qenë i shqetësuar për shkak të politikës së administratës Bush ndaj Ballkanit, dhe shteteve të tjera, të cilat Bush i kishte injoruar në tërësi - së paku në katër vitet e para, ndërsa në katër vite të tjera vëmendja ishte përqendruar kryesisht në Kosovë"- ka deklaruar Gelbard në një intervistë për "Zërin e Amerikës", në gjuhën serbe. Gelbard - i cili ka qenë i përfshirë në fushatën parazgjedhore të presidentit Obama -e ka vlerësuar Ballkanin si një rajon shumë të rëndësishëm, ndërsa ka shtuar se SHBA-të duhet të bashkëpunojnë ngushtë me Bashkimin Evropian dhe Rusinë, në mënyrë që Ballkani të mbetet në kurs pozitiv, sidomos kur bëhet fjalë për Bosnje-Hercegovinën dhe Kosovën si dhe marrëdhëniet me Serbinë. Sipas Gelbardit, Serbia është vend qendror në Ballkan dhe ajo duhet ndihmuar në përparim dhe në forcimin e demokracisë dhe stabilitetit. Nëse nuk ndodhë kështu, sipas tij, "i tërë rajoni do t'i vuajë pasojat negative"