Obama takohet me republikanët

Në takimet që pati dje në selinë e Kongresit amerikan, Presidenti Obama u bëri thirrje republikanëve të pakicës të mbështesin projektligjin për rimëkëmbjen e ekonomisë dhe të lejojnë që ai të mos hasë pengesa në procesin e miratimit. Republikanët në Dhomën e Përfaqësuesve nuk hoqën dorë nga kundërshtimi i tyre ndaj disa propozimeve në projektligj që ata i quajnë shpenzime pa kriter por përsëritën gatishmërinë për të bashkëpunuar me presidentin. Votimi në Dhomën e Përfaqësuesve për projektligjin në fjalë është caktuar për sot ndërsa debati në Senat pritet të fillojë së shpejti. Çështja ka përparësi të madhe prandaj Presidenti Obama po përpiqet të kapërcejë kundërshtimet republikane ndaj planit të rigjallërimit ekonomik.