Genc Ruli: Sulmet e spurdhjakëve të PS-së, për të mbuluar përfshirjen e tyre në afera kriminale
Ministri Ruli në Kuvend i drejtohet PS: Mos u lodhni shumë në këtë fushatë të dëshpëruar. Do gërmoni, do gërmoni, qenin e ngordhur do gjeni
Ministri i Bujqësisë, Genc Ruli iu kundërpërgjigj dje në kuvend akuzave të bëra ndaj tij nga deputeti socialist Saimir Tahiri. Partia socialiste akuzon ministrin Ruli për abuzim me detyrën gjatë kohës që ministri i Bujqësisë Ruli ka qenë në krye të ministrisë së Ekonomisë. Gjatë fjalës së tij në seancën plenare të ditës së djeshme Ruli deklaroi se nuk ka pasur asnjë shkelje në trajtimin e kompanisë minerare, ACR.
Ai theksoi gjithashtu “se PS-ja po përdor spurdhjakë dhe sa herë që ata ndjehen të sulmuar, sulmojnë të tjerët për të larguar vëmendjen. Kjo është paburrëri e pa përgjegjshmëri politike. Për atë periudhë që unë kam qenë ministër në atë ministri, mbaj përgjegjësi për çdo gjë që është bërë aty dhe i dal përballë e me zë të lartë edhe për çdo punonjës më të thjeshtë. Në deklaratën e tij Ruli u shpreh se nuk ka shmangur tatimet për ACR-në, por përkundrazi i ka marrë më shumë asaj. Ministri i Bujqësisë Genc Ruli tha gjithashtu se kjo kompani është futur në treg pa asnjë bazë ligjore nga ana qeverisë së PS-së. Ai iu referua deputetit socialist Saimir Tahirit si dhe të gjithë deputetëve socialistë duke thënë se ata s’bëjnë gjë tjetër veçse lehin. “Gjithë karriera politike e folësve të opozitës është lehja kundër të tjerëve”, tha ministri Ruli.
Ai iu referua gjithashtu se opozitës duke i dëshmuar atyre se zëri përmes së cilës ata ngrenë akuza ndaj deputeteve të mazhorancës është thjesht një media e blerë nga PS-ja. “Opozita e sotme është vetëm përcjellëse e zërit të asaj media, të cilës nuk po i del dot mllefi që nuk e mori tokën e ish- Ekspozitës ‘Shqipëria Sot’, deklaroi Ruli në gjatë fjalës së tij. “Ju zotërinj të opozitës keni të drejtë të flisni e të lehni sa të doni, por duhet të shihnit më parë letrat. Por ju nuk keni parë që ky koncesion është lidhur që në vitin 2000, në një kohë që ishit ju në pushtet, që kishte detyrim ligjor të bënte 22 milionë dollarë investime deri në fund të vitit 2006-ës. Akuzat për koncesionin e kromit bien tek ata, pikërisht tek ju deputetë të opozitës”, tha ministri Ruli.
Gjithashtu ministri i Bujqësisë Ruli ka sqaruar deputetët socialistë dhe në lidhje me punën dhe investimet që ka bërë qeveria për minierat në periudhën për të cilën ai Gjithashtu ministri Ruli bëri të qartë faktin se kërkesa e tyre ndaj kompanisë ka qenë, që , çdo lek që do të japë Ministria e Financave për rimbursim të TVSH-së, kompania do ta derdhë për të paguar gjobat ndaj shtetit shqiptar dhe nuk do ta mbajë në bilancin e saj.
“Gjithë ai mllef që nuk lindi nga ju deputetët socialistë, por që u përdor nga ju, kur ju koncesionet as i kini ditur e as i keni bërë ndonjëherë ashtu siç duhet. Në fund të fjalës së tij ministri Ruli ironizoi deputetët socialistë duke u thënë: “Ju sugjeroj të mos lodheni shumë në këtë fushatë të dëshpëruar. Do gërmoni, do gërmoni, qenin e ngordhur do gjeni”.
E. Tomani