Genc Ruli nën hetim, gati akuza për shpërdorim detyre
Ministri mori atributet e Kuvendit kur ishte në krye të ministrisë së Ekonomisë, duke ndryshuar kontratën koncensionare për minierën e Bulqizës. Ruli u fali atyre penalitetet për mungesën e investimeve duke hapur një varr që nuk po mbyllet ende
Prokuroria po shkon drejt mbylljes së fazës së parë të hetimeve për koncesionin e minierës së Bulqizës. Siç raportojnë dy të përditshme sot, Prokuroria e Përgjithshme është gati për të ngritur akuzat. Prokuroria po diskuton për përgjegjësitë penale të Genc Rulit, personit përgjegjës për këtë shkelje, i cili mund të akuzohet për shpërdorim detyre. Në këtë rast do kërkohet imuniteti i Genc Rulit.
Gazeta Tema pati botuar e para dosjen skandaloze se si ish- Ministri i Ekonomisë, Genc Ruli, mori atributet e Kuvendit duke shtyrë me firmën e tij pagesën e penaliteteve nga firma ACR. Kompania duhej të investonte 22 milion euro, por Ruli e fali kompaninë për mosrealizimin e investimeve, duke hapur kështu një varr të madh që ka marrë e po merr jetë minatorësh. Ruli është mbrojtur duke thënë se Kuvendi ishte pushim, por siç raporton Shqip, prokuroria thotë se megjithatë është Kuvendi që kurdo ka të drejtën të vendosë për diçka të tillë. Së fundmi në prokurori ka mbërritur edhe letërporositë nga Italia dhe Austria për kompanitë Darfo dhe ACR.