E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gënjeshtra në pesë akte

Kur flasim për gënjeshtrën të gjithë e dimë se për çfarë po flasim. Kemi të bëjmë me të shumë herë gjatë jetës, e cila pa të do të ishte e pakuptimtë. Madje për disa është e vetmja mënyrë interesante për të rikrijuar një stad paralel të jetesës. Fjala sikur u është dhënë  njerëzve për të fshehur mendimet e tyre. Sipas fjalorit shpjegues “gënjeshtra është një pohim që nuk përputhet me të vërtetën, që shtrembëron a e fsheh me qëllim të vërtetën” për diçka të mirë a të keqe. Kam mendimin se më shumë se një pohim mund të themi se ajo është një mohim ndaj realitetit, sepse shqisat tona arrijnë të shpjegojnë pak këtë realitet.

Mirëpo sipas meje ekzistojnë pesë kategori të gënjeshtrës: rrena si e tillë, parashikimi i motit, statistika, gënjeshtra diplomatike dhe deklarata zyrtare. 

1. Rrena si e tillë: Ne jetojmë në një epokë shumë naive, për shembull, njerëzit blejnë produkte që cilësia e saj vërtetohet dhe nuk vihet në dyshim nga Ai që e shet. Po të shkosh një ditë të zakonshme tek pazari i ri në Tiranë çdo tregtar apo shitës që gjen aty bërtet me zë të madhe për çmimin dhe cilësinë e mallit të tij, duke e sharë komshiut me libër në dorë. Bën be rrufe sikur të ishte perëndia vetë. Edhe kur shkon të nesërmen për t’i kërkuar llogari se nuk bënte, të thotë nuk është e mundur, nuk e keni blerë tek unë, e kam mallin “njësh”, “flori”. Po kjo ndodh jo vetëm në gjerat materiale, por edhe në ato shpirtërore. Kam vënë re se shumë bashkëfshatarë akoma e kësaj dite shkojnë tek hoxha, tek një vend i mirë (teqe,xhami,kishë), për t’i “fryrë”, marrin lloj lloj patkonjsh, faqe “Kurani” dhe  nuskash dhe ja vënë fëmijëve si medalje në gjoks.

Besimi të qetëson nervat. Në të shumtën e rasteve e dinë shumë mirë se këto marifete nuk funksionojnë, por njeriu dëshiron të gënjejë ekzistencën e tij, sepse beson në diçka më të madhe se vetja.

2. Parashikimi i motit: i vetmi ndryshim që kanë shumë televizione sot në emisionet e lajmeve që transmetojnë janë parashikimet e motit, të gjithë “parashikojnë” me kuptimin e plotë fjalës. Lajmet meteorologjike ndryshojnë sidomos kur humori i atij që shikon foto të satelitëve dhe ua dërgon sinoptikanëve janë pothuajse të barabarta me astrologjinë e parashikimit të fatit. Sot do të takosh dashurinë tënde është e barabartë me sot do të takosh shiun tënd. Një “gënjeshtër” shkencore që në disa raste funksionon. Përshembull,  ka që të hënën që lajmet thonë se të martën, të mërkurën dhe ndoshta të enjten do të bjerë shi, kanë kaluar dy ditët e para pa shi, të shohim nëse do ta kapin të tretën ditë.

3. Statistika: një shkencë që kalkulon probabilitetin që një shans të vërtetohet ose të mos vërtetohet duke pasur disa të dhëna. Në Shqipëri statistika pati një humbje dinjiteti në një kamp aplikimi: sondazhet elektorale. Vetëm një shembull po vejmë këtu: të gjithë exit-pollet e sondazheve jepnin një avantazh të thellë koalicionin “Aleanca për ndryshim” dhe vetvetiu mandatet e çdo koalicioni zgjedhor. Po si shkuan përllogaritjet e sondazheve? Larg realitetit. Ato humbën besimin e tyre statistikore sepse të dhënat që ato merrnin nga votuesit ishin të gabuara. Gabimi normal i një sondazhi në Oksident është tre për qind të popullsisë votuese. Shqiptarët gënjenin në (pa)masë për votën e tyre pro apo kundër koalicionit, aq sa për të tallur me atë që intervistonte, duke kthyer procesin në një mbledhje zbritje farsë.

4. Gënjeshtra diplomatike: një gënjeshtër e cila është shumë e sofistikuar dhe shumë e përdorur në qarqet diplomatike për të mbuluar një ngjarje që tjetri nuk mund ta durojë dot. Vetë diplomacia nga diplomatët përkufizohet “Bllof”, si një akt patriotik që bën të gënjesh për vendin tënd. Njëherë pyeta një diplomat karriere që kishte punuar në OKB: Si lindin luftërat? Ja tha me një buzëqeshje të lehtë, diplomatët gënjejnë  gazetarët, dhe pastaj besojnë atë që lexojnë në gazeta. Është e çuditshme që luftërat nisin pas çdo konsultimi diplomatik. Në Rambuje kur diplomatët po diskutonin për Kosovën, në Prishtinë, Deçan, Mitrovicë, Pejë ishte në zbatim një spastrim etnik. Kur zbulohet gënjeshtra ose mashtrimi atëherë ka pasoja të rënda.

5. Deklarata zyrtare: para disa ditësh, siç çdo vit, u deklaruan publikisht pasuritë politikanëve. Mbas deklarimit nga shtypi dhe partitë kryesore në vend filluam një fushatë shtinjake, dhe me një papërgjegjshmëri absolute të akuzojnë njëri-tjetrin se kush është hajdut më shumë e kush është hajdut më pak. Daullet e veshëve janë mësuar më këto paçavure që quhen deklarata, pasi ka mbetur e vetmja mënyrë për të bërë politikë. Shqiptarët e dinë shumë mirë që politikanë janë të pasur. Ato në pozitë më shumë sesa ato në opozitë, si rrjedhojë e konjekturave të pushtetit.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›