E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gënjeshtra për Ronaldinhon

Trajneri i Milanit, Leonardo, ka marrë qëndrim kundër medieve për “fabrikimin” e lajmeve të vazhdueshme rreth sulmuesit Ronaldinho.

Më herët gjatë javës, disa të përditshme italiane, kishin raportuar se ylli brazilian kishte organizuar një ndejë vetëm tre ditë para humbjes nga Inter, gjë e cila është mohuar nga vetë futbollisti, por edhe nga drejtuesit e klubit.

“Këtë javë, mendoj se ju gazetarët keni treguar mungesë respekti ndaj Ronaldinhos”, tha Leonardo, gjatë një konference për shtyp të shtunën.

“Mendoj se si rezultat i kësaj, ekipi do të shfaqet më i fortë. Kur publikoni një lajm, presioni është ndaj jush që ta dëshmoni. Nuk kam parë xhirime të kësaj ndenje, andaj besoj në atë që më thotë futbollisti. Nuk duhet të jem detektiv në kohë të lirë, e kam parë duke u stërvitur çdo ditë dhe e di se në çfarë gjendje është. Ne e dimë nëse ai ka konsumuar alkool, sepse bëjmë teste çdo ditë, ndërsa ai më tregon edhe në sa ora zgjohet, andaj i besoj. E vlerësoj gjithë javën. I vetmi gabim që ka bërë Ronaldinho është humbja e asaj penalltie, kundër Milanit”, shtoi ai.

Megjithatë, është fakt se prej humbjes në derbi nga Inter, Milan ka qenë hije e ekipit që shënonte fitore të vazhdueshme, duke u eliminuar nga Kupa e Italisë dhe barazuar 1-1 në shtëpi me Livornon.

“Kundër Livornos na ka munguar përfundimi agresiv dhe nuk arritëm të shënojmë golin e fitores. Pavarësisht kësaj, ne kemi dominuar në posedim dhe kemi luajtur lojën tonë, vetëm se nuk kemi arritur ta transformojmë në gola”, vazhdoi ai.

Rossonerët takohen me Bolognan, të dielën. “Bologna është duke kaluar në periudhë të mirë dhe gjithmonë luan mirë në shtëpi”, theksoi Leonardo. Afati kalimtar i janarit i ka sjell një përforcim të ri në ekip. Amantino Mancini erdhi në formë huazimi nga rivali i qytetit, Inter.

“Mancinin e konsideroj futbollist të mirë, i cili mund të jap shumë për Milanin. Mendoj se do të japë kontributin e tij. Ai është futbollist i lëvizshëm dhe mund të adaptohet në shumë role. Ai tashmë i ka humbur dy kilogramë dhe është paraqitur mirë në stërvitje”, përfundoi Leonardo.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›