Gentiani, kopja e Dorian Bylykbashit frenon Starovën

Albania-sport- Vetëm 1-1 në "Niko Dovana". Teuta e cila kishte fituar ndeshjen e parë në transfertën me Shkumbinin me rezultatin e pastër 2-0 (atëherë në bankinë ishte Vasil Bici), nuk mundi të marrë më shumë së një barazim me peqinasit e Faruk Sejdinit, duke humbur kështu edhe vendin e dytë në renditje dhe tashmë ka mbi "kokë" dy nga legjendat e futbollit shqiptar: Tirana (43 pikë) dhe Partizani (33 pikë). Edhe pse djemtë e Starovës arritën ta zhbllokonin brenda pesë minutash rezultatin me anë të golashënuesit më të mirë të durrsakëve, Daniel Xhafaj, që goditi mjeshtërish në minutën e 4, duke u ngjitur në kuotën e 9 golave sezonalë.
Ndeshja thuajse ishte e barabartë, madje Shkumbini u përpoq jo pak që të komandonte në mesfushë, deri sa erdhi minuta e 40, kur peqinasit fituan një goditje të lirë. Topin e ndaluar e ekzekutoi mjeshtërisht jo një lojtar klasi si Dorian Bylykbashi, por vëllai i tij më i madh Gentiani, që me një goditje model barazoi rezultatin. Pjesa e parë u mbyll në barazim, teksa 45 minutat e dyta, shfaqën sërish dy formacione luftarake në kërkim të fitores respektive. Në të 52', Bekim Kuli goditi me kokë, por pa gjetur pikën e dobët të Ervin Llanit. Minuta e 56 projekton në zonën e vogël Rizvanollin e Shkumbinit që godet shtyllën, pas ekzekutimit me kokë. Dy minuta më pas, në të 58' ishte sërish ish-lojtari i tri ekipeve kryeqytetase, që pretendoi një penallti, por gjyqtari ndërkombëtar Albano Janku vazhdoi lojën. Minutat kalojnë dhe Starova kupton se të besuarit e parë të tij, nuk mund të japin më shumë. Tri ndërrime të një pas njëshme: Kovac i lë vendin Bunës, Mancaku Hodos dhe Kuli Kotes, por edhe pse në pjesën e dytë, Daniel Xhafaj, Bledar Devolli e Blerim Kuli u përpoqën të përmbysnin rezultatin që pas bilbilit të fundit të Jankut u fiksua 1-1, duke regjistruar edhe barazimin e 6 midis këtyre dy ekipeve në 31 përballjet direkt. Teuta përmirësoi rekordin e barazimeve në shtëpi, kur shifra tani regjistron numrin 8, ndërsa Shkumbini dëshmoi se nuk është i përgatitur të fitojë jashtë dhe të "nguroset" edhe këtë javë në vendin e fundit.
Në javën e 20, Shkumbini do të presë në shtëpi Luftëtarin, ndërsa Teuta do të udhëtojë në shtëpinë e kampionëve më fuqi, Elbasanit.
Java 19
Teuta- Shkumbini 1-1
4' Daniel Xafaj
40' Gentian Bylykbashi