Kristiano Ronaldo i thotë "jo" spanjollëve

Kristiano Ronaldo i ka mbyllur përfundimisht derën skuadrave të Realit të Madridit dhe Barcelonës. Pavarësisht zërave për një largim të mundshëm nga Old Traford, "thesari" i Mancester Junajtid është shprehur i sigurt se nuk do të joshej aspak nga ofertat e spanjollëve. Emri i mesfushorit portugezit ka dominuar faqet e para të shtypit sportiv evropian sidomos pas takimit në Londër të menaxherit të tij, Jorge Mendes me drejtorin sportiv katalanas, Txiki Begiristain. "Unë i kam thënë menaxherit tim se te Mancesteri ndihem shumë mirë dhe dëshiroj të qëndroj këtu. Me anglezët kam edhe një kontratë. Në Angli ka një lloj futbolli që më tërheq dhe momentalisht nuk do të preferoja të largohesha. Dua që karrierën time ta shijoj pikërisht këtu", tha Ronaldo për revistën "FourFour Two". Ndërkohë edhe klubi i "djajve të kuq" këmbëngul se nuk ka ndërmend ta lejojë portugezin të largohet duke i ofruar atij në letër një kontratë 100 mijë paund në javë, 2-fish i asaj aktuale.