E Diel, 1 Nëntor 2026

Reforma në drejtësi dhe ajo zgjedhore, mazhoranca i shtrin dorën opozitës

Autori i Lajmit: red.
Partia Demokratike do të kërkojë sërish konsensusin e opozitës për të përmbyllur dy reformat kryesore në vend siç është ajo zgjedhore dhe reforma në drejtësi. Fakti konfirmohet edhe nga deputeti demokrat Aldo Bumçi, i cili thotë se në rastin e reformave nuk duhet shtruar çështja e votave, por e rëndësishme është arritja e konsensusit mes mazhorancës dhe opozitës për këto dy reforma të rëndësishme për demokracinë në vend. Bumçi thotë se, për sa i përket Reformës në Drejtësi dhe më konkretisht debatit për varësinë nga ekzekutivi apo jo të prokurorisë, kjo është një çështje e mbyllur dhe e sanksionuar qartë në Kushtetutë. Komisioni i Reformës Zgjedhore i rimandatuar sërish nga Kuvendi pritet të përgatisë brenda shtatorit draftin përfundimtar. Ai tha se “reformat zgjedhore nuk mund të bëhen pa opozitën, sepse zgjedhjet janë themeli i demokracisë dhe stabilitetit politik të vendit. Ky është një themel shumë i rëndësishëm i reformave në vend që nuk mund të bëhen pa opozitën, jo thjesht për numër votash, por për hir të çështjeve që mund të preken. Ne kemi kaluar bashkarisht me opozitën në Parlament ligjin për pushtetin gjyqësor që është një nga ligjet kryesore të sistemit të drejtësisë”, - përfundoi Bumçi.

Biberaj: “Roli i OSBE-së për zgjedhjet, jetik”

Deputeti i PD-së Aleksandër Biberaj përpara disa ditësh, në një prononcim për median, ka thënë se për reformën dhe Kodin Zgjedhor është e domosdoshme prania e OSBE-së. Ai tha: “Mendoj se OSBE ka luajtur një rol shumë pozitiv në Shqipëri gjatë gjithë periudhës së tranzicionit, gjë që është për t u përshëndetur. Është më se normale që të ketë opinione dhe këto opinione të jenë të ndryshme, por nuk mendoj se janë pjekur kushtet që OSBE të largohet nga Shqipëria. Por, për sa kohë ne kemi probleme me zgjedhjet, nuk është normale largimi i OSBE-së dhe, me sa di unë, gjatë viteve ka pasur zëra për largimin e OSBE-së, kryesisht nga partitë e vogla”.
Ky lajm është publikuar: 09/08/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›