Gërcedi, Minxolli vetëdeklarohet fajtor
Autori i Lajmit: Ornela Manjani Ish-drejtori i fabrikës së demontimit të armëve në Gërdec, Dritan Minxolli është vetëdeklaruar dje fajtor në sallën e gjyqit duke pranuar se ka shkelur rregullat e sigurisë si dhe ka punësuar gra e fëmijë në një veprimtari të rrezikshme. I punësuari i Mihal Delijorgjit si drejtor ekzekutiv i ndërmarrjes së Gërdecit, pohoi dje në sallën e gjyqit se i kishte punësuar gratë dhe fëmijët nga keqardhja pasi ishin në nevojë financiare. Dëshmitarët e akuzës kanë pohuar para togave të zeza se në fabrikën e demontimit kishte rënë zjarr edhe nje herë tjeter, por e kishin shuar punonjësit me kova me ujë.
Minxolli
Ish-drejtori i fabrikës në Gërdec, tha më tej se personat paraqiteshin për punë tek ai ndërsa ka konstatuar se një pjesë e mirë e tyre ishin familje me probleme financiare.
Në seancën e sotme u dëgjuan deklarimet e Flogert Cikut, 18 vjeç dhe nënës së tij Daje Ciku. Të dy ata kishin punuar në Gërdec në kohën kur djali ka qenë vetëm 16 vjeç.
Seanca
Dëshmitarët thanë se në fabrikë shkeleshin rregullat e sigurisë për shkak se shpeshherë binte zjarr ndërsa nuk kishte mjete për shuarjen e zjarreve. Tragjedia e Gërdecit ka qënë paralajmëruar, por asnjë masë nuk u mor nga drejtuesit e fabrikës së demontimit të armëve të Alba-Demil. Masa e vetme që u jepnin kurajo punëtorëve ishin “kini kujdes kur hapni arkat”. Dëshmitë e radhës dhënë dje nga nënë e bir të familjes Ciku në Gjykatën e Tiranës ku po gjykohet cështja e shpërthimit tragjik në Gërdec ku gjetën vdekjen 26 persona dhe u plagosën mbi 300 të tjerë, treguan se incidentet ne fabrike mund te ndodhnin cdo dite dhe se renia e zjarrit nuk ishte gje e re.
Dëshmia
Caje Ciku dhe djali i saj, Flogert Ciku punonin prej korrikut të vitit 2007 në Fabrikë dhe paguheshin 150 mijë lek të vjetra muaji. Caje Ciku solli fakte të padëgjuara ndonjëherë, por që mbështesin pohimin e Prokurorisë se fabrika shpërtheu nga shkëndijat gjatë saldimit të një karroce në ambientet pranë fabrikës, dhe hidhnin poshte pretendimin e te pandehurve se shpërthimi ka qene i kurdisur. “Karrocat që mbartnin municionet saldoheshin shpesh herë brenda ambienteve të fabrikës. Qemal Deliu (banonte pranë fabrikës, familja e te cilit humbi jetën në shpërthim), saldonte karrocat brenda fabrikës”, tha Caje Ciku gjatë dëshmisë. Gruaja dëshmoi se hapeshin mesatarisht 160 arka me municione në ditë. Hapja bëhej me leva, pinca.
Djali i saj Flogert Ciku 16 vjec (në kohën kur punonte në fabrikë 14 vjec) dëshmoi në dëshminë e radhës duke forcuar faktin se në fabrikë punonin minorenë. Flogert sqaroi se u detyrua të punojë për shkak të rrethanave të vështira në të cilën ndodhej familja. Fakti i ri që solli 16 vjecari në sallën e gjyqit para të pandehurve ishte fakti se zjarri i 15 Marsit që shkaktoi tragjedinë në gërdec nuk ishte i pari që ka rënë në fabrikë.
“Në qershor-korrik të viti 2007 Flogert Ciku në fabrikën e Gërdecit ka rënë zjarr. Punonjësit shuan zjarrin me kova me ujë pasi nuk kishte mjete të posaçme për shuarjen e zjarrit”, tregoi djali pa saktësuar arsyet e shpërthimit të zjarrit, por shtoi se “punëtorët që prej asaj dite ishin të frikësuar. Punëtorët e kanë ndjerë gjithmonë këtë rrezik dhe asnjëhere nuk është marrë parasysh rreziku se mund të binte sërisht zjarri”, tha Flogerti para trupit gjykues. I mituri më pas rrëfeu se puna e tij ishte paketimi i fishekëve, hapja e arkave. Në sallë vazhduan dhë dëshmi të tjera interesante rreth kushteve në të cilat punonin punonjësit në fabrikën e Mihal Delijorgjit në Gërdec.
Procesi
Prej disa ditësh, procesi për çështjen "Gërdeci" me i madhi ne historine e gjyqeve shqiptare, ka hyrë në fazën e pyetjes së dëshmitarëve dhe personave që kanë dijeni për ngjarjen nga Gjykata. Të pandehur në këtë proces janë 29 persona shumë nga të cilët ish funksionarë të ministrisë së Mbrojtjes dhe Ushtrisë, të cilët akuzohen si përgjegjës për ngjarjen e ndodhur më 15 mars 2008 në fshatin Gërdec, Tiranë, kur si pasojë e një shpërthimi në ish-fabrikën e demontimit të municioneve luftarake, humbën jetën 26 persona, shumë të tjerë mbetën të plagosur, ndërsa pati dëme të konsiderueshme materiale. Jashtë grupit të dëshmitarëve është dhe ish-ministri i Mbrojtjes në kohën që ndodhi shpërthimi Fatmir Mediu, cështja ndaj të cilit u pushua pasi ai u rizgjodh deputet. Familjarë të viktimave të tragjedisë i kanë kërkuar Prokurorisë së përgjithshme të rimarrë të pandehur apo në cilësinë e dëshitarit Fatmir Mediun.
Ky lajm është publikuar: 19/12/2009