E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gerd Myler vlerëson Tonin: Mund të thyejë rekordin tim

Legjenda e futbollit gjerman, sulmuesi Gerd Myler, ka vlerësuar Luka Tonin, duke e cilësuar si të vetmin futbollist që mund të thyejë rekordin e vendosur nga ai. "Nuk e di nëse ndokush mund të thyejë rekordin tim, por nëse nuk e bën Luka Toni në sezonin aktual, atëherë ai nuk do të thyhet nga askush", ishin fjalët e Gerd Myler, i cili në sezonin 1971-‘72 ka shënuar 40 gola me fanellën e skuadrës së Bajernit të Mynihut. Gjermani është cilësuar si një nga golashënuesit më të mirë në historinë e futbollit botëror, duke regjistruar statistika "të frikshme" si ajo e 68 golave në Kombëtare në vetëm 62 ndeshje, apo 365 gola në Bundesligë në 427 ndeshje, mes të cilave edhe rekordin e 40 golave në një sezon. Myler duket i bindur se të paktën ky rekord i fundit mund të thyhet shumë shpejt nga Luka Toni, i cili ka arritur deri tani të shënojë 35 gola, nga të cilët 20 në kampionat, 10 në Kupën UEFA dhe 5 në Kupën e Gjermanisë. "Nuk është aspak e lehtë të shënosh 40 gola dhe nuk janë të shumtë sulmuesit që mund ta bëjnë një gjë të tillë. Kush e fiton titullin e golashënuesit më të mirë? Padiskutim Luka Toni. Ai është një golashënues i mirëfilltë. Është shumë i fortë brenda zonës dhe gjuan me të dyja këmbët, duke ditur gjithmonë se çfarë duhet të bëjë për të dërguar topin në rrjetë. Unë kisha një stil tjetër loje, ndaj nuk mund të bëjmë krahasime. Luka ka një nuhatje të jashtëzakonshme për golin, i shkëputet mbulimit të mbrojtjes dhe e di me saktësi se ku do të mbërrijë topi nga harkimet apo në goditjet nga këndi. Kjo është një aftësi që nuk e kanë shumë sulmues të tjerë", deklaroi Myler.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›