E Shtunë, 31 Tetor 2026

Katalanasit, të sigurt: Do të shënojmë në Angli

Barcelona nuk arriti të shënonte në takimin e parë ndaj Mançester Junajtid në "Kamp Nou". Por paraqitja e katalanasve në këtë ndeshje i ka bindur të gjithë futbollistët e kësaj skuadra se mund të kalojnë rivalët e tyre në takimin që do të zhvillohet javën e ardhshme në Angli. "Na vjen keq që nuk shënuam golin që meritonim. Nuk është e mjaftueshme të rrezikosh, pasi duhet edhe të shënosh. Por nëse luajmë si në ndeshjen e parë, atëherë ne mund të arrijmë në finale", ishin e fjalët e Samuel Eto‘o para gazetarëve, pas përfundimit të takimit. Sulmuesi kamerunas është i bindur se më e avantazhuar në këtë situatë është pikërisht Barcelona, ndonëse nuk fitoi në shtëpi. "Për ne ky është një rezultat i mirë dhe meqë golat jashtë fushe vlejnë dyfish, nëse shënojmë, atyre u duhet ta bëjnë një gjë të tillë dy herë dhe kjo do t‘u krijojë probleme psikologjike", u shpreh ai.

Besimin më të madh lojtarët e kanë marrë nga dominimi territorial që kishin gjatë kësaj ndeshjeje, ku rasti i vetëm i pastër për Mançester Junajtid ishte penalltia e humbur nga Kristiano Ronaldo në fillimin e takimit. "Nuk është një rezultat i keq, por jemi pak të zhgënjyer nga mënyra se si rrodhën gjërat. Ne luajtëm shumë mirë dhe ende nuk e kuptoj se si nuk arritëm të shënonim. Lojtarët janë gjithmonë më të motivuar në ndeshjet e Ligës së Kampioneve, prandaj dhanë maksimumin në fushën e lojës. Jemi të kënaqur me imazhin që dhuruam dhe duhet të vazhdojmë të shfaqim një lojë të tillë edhe në ndeshjet që kanë mbetur deri në përfundimin e sezonit. Mançesteri luajti në mbrojtje dhe fakti që nuk shënuan na ndihmon për sfidën e dytë", u shpreh mesfushori Ksavi, i cili në këtë ndeshje mbante shiritin e kapitenit.

Por edhe "Djajtë e kuq" janë shprehur të kënaqur me mënyrën se si shkuan gjërat në sfidën e parë dhe kanë premtuar se do të luajnë një ndeshje më ofensive në "Old Traford" pas një jave. "Padyshim që do të jem shumë më agresivë në ndeshjen e dytë. Ndeshja që do të luhet në "Old Traford" do të jetë vendimtare. Një barazim me gola na eliminon, ashtu si një humbje, e arrijmë finalen vetëm nëse fitojmë. Atmosfera në stadiumin tonë do të na ndihmojë ta interpretojmë ndryshe ndeshjen. Barcelona është një ekip që e mban shumë topin, sidomos kur luan në shtëpi, ndaj fakti që ruajtëm rrjetën të paprekur tregoi se ne vepruam si profesionistë", deklaroi trajneri i Mançester Junajtid, Aleks Ferguson. Edhe Kristiano Ronaldo ka premtuar se në ndeshjen e dytë do të shënojë për të shlyer gabimin e sfidës së parë kur humbi 11-metërshin. "Unë kam shënuar disa penallti, duke e çuar topin në atë drejtim, por nuk ishte e thënë në këtë ndeshje. Por nuk ka problem, do ta gjej rrugën e rrjetës në Mançester. Mendoj se duhej të akordohej edhe një tjetër 11-metërsh, pasi Milito më rrëzoi në zonë. Megjithatë, jemi të kënaqur edhe nga rezultati 0-0", deklaroi Kristiano Ronaldo.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›