E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rise, i pasigurt për të ardhmen

Mbrojtësi i Liverpulit, Xhon Arne Rise, ka treguar "vuajtjet" e tij pas autogolit që rrezikon eliminimin e skuadrës nga Liga e Kampioneve. Futbollisti norvegjez shënoi në portën e tij në minutën e 95-të të takimit, duke vështirësuar punën e skuadrës së drejtuar nga Benitez, që tashmë duhet të luftojë për një fitore në ndeshjen e kthimit ndaj Çelsit. "Çfarë mund të them! Jam i turpëruar dhe i shkatërruar moralisht. Gjëra të tilla u ndodhin shpesh mbrojtësve dhe këtë herë ishte radha ime. Unë e di sa i fortë jam moralisht dhe ajo që ka më shumë rëndësi është të kaloj sa më shpejt këtë fazë. Unë kam kaluar momente shumë më të vështira dhe e di që do të mësoj shumë nga kjo eksperiencë negative. Jam shumë i zhgënjyer, por kjo nuk do të thotë se duhet të vazhdoj të përplas kokën në mur nga dëshpërimi. Dua që këtë ta përdor për të mësuar diçka pozitive", u shpreh futbollisti. Mbrojtësi i krahut të majtë, i cili shënoi autogolin e dytë të sezonit për Liverpulin, duket se nuk e ka më të sigurt vendin e tij në skuadër dhe mund të largohet gjatë merkatos verore. Sipas mediave angleze, Njukasëlli dhe Aston Vila po interesohen për shërbimet e tij, pavarësisht faktit që ai ka humbur vendin në formacionin titullar te skuadra e Benitez. Edhe vetë futbollisti ka pranuar se gjithçka mund të ndodhë. "Unë shpresoj dhe vazhdoj të besoj te një kontratë e re me Liverpulin. Por nuk mund ta them me siguri se do të kem një të ardhme këtu, pasi më ka mbetur vetëm një vit kontratë dhe klubi nuk ka bërë asnjë hap para për rinovimin e saj", u shpreh Rise.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›