E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Heqja e imunitetit, jo çështje e veçuar

Kryetari i PS-së tha se heqja e imunitetit s'mund të jetë çështje e veçantë, por pjesë e një pakete të plotë në sistemin e drejtësisë

TIRANË- Kufizimi i imunitetit të deputetëve dhe zyrtarëve të tjerë të lartë, duket se do të jetë pjesë e një debati të gjatë midis pozitës dhe opozitës. Kur dukej se dy forcat e mëdha po shkonin drejt miratimit të kësaj nisme brenda këtij tre javori, Partia Socialiste kushtëzon dhënien e konsensusit të saj për këtë çështjeje me vazhdimin edhe të reformave të tjera në sistemin e drejtësisë. Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, duke folur gjatë tryezës me temë "Shqipëria drejt Integrimit Evropian" të organizuar nga Fondacioni "Qemal Stafa" dhe Komisioni për Politikën e Jashtme pranë Asamblesë Kombëtare të kësaj force, duke shprehur vullnetin e socialistëve për të hequr imunitetin e deputetëve, ka bërë të qartë se kjo nuk mund të arrihet si një çështje e veçantë, por si pjesë e një pakete të plotë reformash në sistemin e drejtësisë. "Çështja e imunitetit, për të cilën ne e kemi deklaruar publikisht se jemi të hapur të diskutojmë, nuk mund dhe nuk do të jetë, për sa na takon, një çështje e veçuar nga diskutimi i thelluar i të gjithë problematikës së Paktit Kombëtar për Drejtësinë. Nuk do të jetë as një arsye për t'u rifutur në Kushtetutë, për një element të vetëm. Por, do të jetë pjesë e një ndërhyrjeje më të gjerë, për të cilën duhet të ketë një diskutim të madh, publik dhe e cila duhet të vijë si rrjedhojë e asaj vetëdije që mishërohet në Paktin Kombëtar për Drejtësinë dhe atij angazhimi që forcat politike duhet të marrin për këtë pakt", - u shpreh kryesocialisti Edi Rama. Ndërkohë duke folur për detyrat e "shtëpisë" që ka Shqipëria në kuadër të procesit integrues në BE, kryesocialisti në prani edhe të Kryetarit të Delegacionit të Komisionit Evropian në Shqipëri, ambasadorit Lohan dhe nënkryetarit të Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Evropian, Libor Roucek, ka theksuar se, "politika duhet të largojë një herë e mirë duart nga drejtësia". Për këtë ai ka shprehur nevojën që forcat politike në vend duhet të mbështesin të gjitha reformat që përmban Pakti Kombëtar për Drejtësinë i propozuar disa muaj më parë nga PS. "Ky duhet të jetë një angazhim i të gjitha forcave politike, që solemnisht duhet ta kthejnë këtë Pakt Kombëtar, në një angazhim konkret të miratuar në Parlamentin e Shqipërisë, si një axhendë afatgjatë për të gjitha forcat politike, pavarësisht se kush është në pushtet dhe kush është në opozitë, apo anasjelltas", - tha Rama. Ndërkohë, drejtori Ekzekutiv i Fondacionit "Qemal Stafa", Saimir Tahiri në fjalën e vet deklaroi se klasa politike 18-vjeçare ka dështuar të ndërtojë Evropën këtu. Gjithashtu kryetari i Komisionit të Politikës së Jashtme në Asamblenë Kombëtare të PS-së, Taulant Balla, theksoi se socialistët, përmes këtyre tryezave me ekspertë të të gjitha fushave, synojnë përgatitjen e një programi qeverisës të implementueshëm dhe efektiv.

PS po përgatit një projektrezolutë, ku t'i kërkohet qeverisë çështja e statusit të vendit kandidat

Lammert- Ramës: Konsensusi për reformat, pozitiv

TIRANË- Kryetari i Bundestagut gjerman, Nobert Lammert, në ditën e fundit të vizitës së tij në Shqipëri është pritur në një takim të veçantë edhe nga lideri i opozitës, Edi Rama. Gjatë këtij takimi, kryetari i Parlamentit gjerman i ka shprehur Ramës vlerësime në lidhje me qëndrimet që ka mbajtur opozita në përgjithësi dhe Partia Socialiste në veçanti, në raport me reformat e mëdha integruese. Në vijim të këtij qëndrimi, kryeparlamentari gjerman ka përshëndetur konsensusin politik të arritur mes pozitës dhe opozitës, në drejtim të reformave themelore integruese të vendit. Pas takimit, Kryetari i PS-së, Edi Rama ka bërë të qartë edhe një herë për mediat se socialistët janë duke përgatitur një projektrezolutë, që do të paraqitet në Kuvend, me anë të së cilës do t'i kërkohet qeverisë që të aplikojë që Shqipëria të marrë statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Evropian. Kjo, sipas Ramës, duhet të ndodhë jo më vonë se vjeshta e ardhshme, pasi, siç njihet nga praktika e vendeve të tjera, marrja e këtij statusi do të angazhonte forcat politike në Shqipëri për të punuar më fort në drejtim të realizimit të reformave integruese. "Unë mora përshëndetjen për konsensusin politik të arritur në drejtim të reformave dhe nxitjen për të vijuar në rrugën e bashkëpunimit mes palëve, në funksion të aspiratave të popullit shqiptar për një integrim të shpejtë në NATO dhe në BE, dhe nga ana tjetër, rishtrova pikëpamjen tonë se Shqipëria duhet të aplikojë jo më vonë se vjeshta e ardhshme për të marrë statusin e vendit kandidat për në BE, gjë për të cilën ne po përgatisim edhe një Projekt-Rezolutë për Kuvendin e Shqipërisë", - u shpreh Rama pas takimit.

F.B

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›