E Diel, 1 Nëntor 2026

Gërdec, fshati që mbeti pa shkollë nga tragjedia



Shkolla 9-vjeçare e fshatit Gërdec nuk e ka nisur dje vitin e ri shkollor, si të gjitha shkollat e tjera në vend. Shkak për këtë është bërë shkatërrimi i saj i plotë nga shpërthimi tragjik i 15 marsit. Megjithëse pas shpërthimit u premtua se kjo shkollë do të rindërtohej sa më shpjet dhe se do të ishte gati në fillim të vitit të ri shkollor, realiteti tregon të kundërtën. Ambientet e kësaj shkolle gjenden në kushte të papërshtatshme për mësim. Kjo ka bërë që 15-shtatori, dita e parë e shkollës, t’i gjejë nxënësit e Gërdecit me një shkollë të shkatërruar, e njëjta gjendje si pas shpërthimit të depove më 15 mars. Mure pa suva, tavane të rëna, klasa pa dritare dhe dyer, banka dhe karrige të thyera. Kjo është situata e shkollës nëntëvjeçare “Gërdec” në ditën e parë të fillimit të procesit mësimor. Për këtë gjendje, drejtori, Vullnet Hato shprehet se restaurimi nuk është kompetencë e tij. Ai ka bërë të ditur se për këto vonesa është njoftuar Drejtoria Arsimore e qarkut Tiranë si edhe Bashkia e Vorës. Nxënësit duhet të ishin ulur në bankat e shkollës, por mosrestaurimi i saj në kohën e duhur i ka detyruar ata t’i kthejnë shpinën vatrës së dijes që në ditën e parë. Deri në përfundimin e rregullimit të godinës së shkollës 9-vjeçare “Gërdec” nxënësit e kësaj shkolle do të transferohen në dy shkolla të tjera, në Marqinet dhe në Marikaj.

Gjimnazi “Ismail Qemali”, mësimi në kushte më të mira
Nxënësit e shkollës së mesme “Ismail Qemali” në kryeqytet do të mësojnë në kushte më të mira këtë vit shkollor. Si pasojë e reformës në sistemin parauniversitar, gjimnazi numëron këtë vit rreth 1200 nxënës, që do të mësojnë në 36 klasa. Drejtoresha e gjimnazit “Ismail Qemali”, Lumturi Çela, shprehet se numri i nxënësve në klasat mbi kapacitetin e duhur do të ndahet nëpër klasa të ndryshme.

Shkodër, përfundon rikonstruksioni i shkollës “Prenkë Jakova”

Nxënësit dhe mësuesit e shkollës kombëtare të muzikës “Prenkë Jakova” në Shkodër do të kenë në dispozicion mjedise dhe kushte bashkëkohore gjatë vitit të ri shkollor 2008-2009. Kjo është realizuar falë një financimi të qeverisë shqiptare prej 380 milionë lekësh. Përurimi i rikonstruksionit të kësaj shkolle përkoi me ditën e parë të vitit të ri shkollor, që u çel dje, ku ishin të pranishëm ministri i Kulturës, Ylli Pango.

Projekti “Konvikte për të gjithë”, investimet për vitin 2008

Rreth 250 nxënës të shkollës profesionale në Golem/Kavajë janë strehuar dje në një konvikt me kushte bashkëkohore. Investimi për zgjerimin e konviktit të shkollës profesionale ka kapur shifrën 200 mijë euro dhe është bërë në bazë të projektit “Konvikte për të gjithë”. Për vitet 2007-2008 është parashikuar që të kryhen investime për ndërtimin e 11 konvikteve, 7 konvikteve të rinj në Tropojë, Krujë, Shkodër, Dibër, Durrës, Kukës, Sarandë, si edhe shtesë të konvikteve në Tiranë, Burrel, Golem e Pukë me një vlerë në total prej 4 milionë eurosh të buxhetit të shtetit.

16 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›