Viti i ri mësimor nis me protesta dhe probleme
Jonida Tashi
Viti i ri shkollor ka nisur me probleme në disa shkolla të vendit. Megjithëse këtë vit në të gjithë vendin janë rikonstruktuar ose ndërtuar disa shkolla, nuk kanë pasur të njëjtin fat disa zona të tjera, të cilat vazhdojnë me godinat e shkatërruara dhe aspak të përshtatshme për të dhënë mësim. Kjo ka ndodhur në disa zona rurale, ku kanë munguar investimet apo ku godinat janë dëmtuar për shumë arsye. Kështu, në qytetin e Lushnjës, dita e parë e shkollës ka filluar me një grevë njëorëshe të zhvilluar nga nxënës e mësues të shkollës nëntëvjeçare “4 Dëshmorët”. Mungesa e kushteve për një zhvillim normal të
mësimit, i ka detyruar mësuesit dhe 600 nxënësit e kësaj shkolle që me pankarta në duar të bëjnë thirrje ndaj qeverisë. Drejtuesit e shkollës shprehen se kanë dërguar një shkresë zyrtare në Bashkinë e qytetit, për të cilën nuk kanë marrë ende një përgjigje. Mungesa e xhamave dhe dalja jashtë funksionit e katit të tretë të godinës e ka bërë të pamundur zhvillimin e mësimit në kushte normale në këtë shkollë. Sipas drejtuesve të shkollës, ka mëse 15 vite që ndaj kësaj shkolle nuk është bërë asnjë investim. Madje disa prej shkollave në vend, sidomos ato të fshatrave, nuk i kanë çelur dyert dje në ditën e parë të shkollës. Shkak për këtë janë bërë vonesat në rikonstruksionin e tyre, ose e kundërta, lënia e tyre në harresë, edhe pse gjenden në kushte të mjerueshme.
Fasada
Buqeta me lule, fëmijë të gëzuar, puthje dhe përqafime. Këto kanë qenë kryefjala e ditës së djeshme pothuajse në të gjitha shkollat e vendit në ditën e parë të shkollës. Madje, në këtë ditë nuk kanë munguar as përshëndetjet e politikanëve të ndryshëm, të cilët kanë vizituar disa shkolla të kryeqytetit. Çuditërisht edhe përurimet e shkollave të bëra nga vetë ata kanë përkuar me ditën e parë të shkollës. Gjatë këtyre vizitave të bëra në shkollat më të reja është folur vetëm për zhvillime të mëtejshme në arsim. Ndërkohë, asnjë prej politikanëve nuk ka folur për fëmijët që nuk kanë mundur dje të ulen në bankat e shkollës, apo për fëmijët që u prekën nga shpërthimi i Gërdecit. Kështu, kreu i Arsimit, Fatos Beja, ka zgjedhur shkollën “Pjetër Budi” në Tiranë për t’u përcjellë urimet më të mira të gjithë nxënësve në fillim të vitit të ri shkollor. Ndryshe nga vitet e tjera, kur një ministër mban një fjalim për të përcjellë urimet, Beja ka bërë një bashkëbisedim me nxënësit dhe arsimtarët. Gjatë kësaj bisede, Beja u ka premtuar nxënësve se ai do të fillojë reformat për të integruar sa më shumë librin në shkolla, për të pasuruar bibliotekat. Gjithashtu, gjatë përcjelljes së urimeve, ministri i Arsimit ka inauguruar dhe laboratorin e informatikës në shkollën “Pjetër Budi”.
Kryeministri
Ndërsa kryeministri i vendit, Sali Berisha, e ka dhënë urimin për fillimin e vitit të ri mësimor nga shkolla e mesme “Myslym Keta” në kryeqytet. Madje, kreu i qeverisë nuk ka ngurruar të akuzojë kryebashkiakun Edi Rama për vonesat në rikonstruksionin e disa shkollave të kryeqytetit. Duke iu referuar situatës së arsimit në Tiranë, kryeministri theksoi se qeveria i ka akorduar Bashkisë së Tiranës 2.2 miliardë lekë për ndërtimin e shkollave të reja dhe rikonstruksionin e atyre ekzistuese. Sipas kryeministrit, ky projekt kishte për qëllim krijimin e kushteve sa më moderne dhe uljen e numrit të nxënësve për klasë në shkollat e Tiranës, por nga 7 shkolla të reja që duhet të ishin ndërtuar, janë ndërtuar vetëm dy apo tre dhe nga 12 që duhet të ishin rikonstruktuar janë rikonstruktuar vetëm gjysma, duke rrezikuar kështu edhe djegien e fondeve. Kryeministri u shpreh se në rast se do të ishte investuar kjo shumë e akorduar për Bashkinë e Tiranës, kryeqyteti do të kishte një nivel dy herë më të lartë pajisjesh dhe shkollash më moderne.
16 Shtator 2008