E Shtunë, 31 Tetor 2026

Universitetet, data 17 shtator është afati i fundit për regjistrimin paraprak

Në datën 25 shtator do të shpallen listat përfundimtare të fituesve

Jonida Tashi

Vetëm dy ditë kohë në dispozicion u kanë mbetur fituesve të universiteteve për të bërë regjistrimin paraprak. Regjistrim ky i detyrueshëm për t’u kryer brenda afateve të përcaktuara nga Ministria e Arsimit. Në orën 18:00 të pasdites së ditës së mërkurë (data 17 shtator) do të mbyllet zyrtarisht procesi i regjistrimit të fituesve në universitete. Kandidatët që nuk kryejnë regjistrimin paraprak brenda datave të përcaktuara nga MASH-i, për çfarëdo arsye, nuk do të përfshihen në listën përfundimtare të fituesve dhe do të humbasin të drejtën për të vazhduar studimet e larta për këtë vit. Për këtë arsye të gjithë të rinjtë e shpallur fitues në një degë të caktuar duhet të regjistrohen paraprakisht, pavarësisht se ajo nuk është preferenca e parë e tyre. Në rast se në listat e dyta këta të rinj shpallen fitues në degën e preferuar ose në një degë tjetër, ata mund të çregjistrohen dhe të regjistrohen sërish në degën që rezultojnë fitues. Pranimin i studentëve në ciklin e parë të studimeve me kohë të plotë në institucionet publike të Arsimit të Lartë, në vitin akademik 2008-2009, do të bëhet sipas listave emërore, të renditura nga Agjencia Kombëtare e Pranimeve në Institucionet e Arsimit të Lartë, APRIAL, pranë MASH-it. Kandidatët fitues duhet të bëjnë regjistrimin e tyre paraprak në programin e studimit ku janë shpallur paraprakisht fitues pranë sekretarive mësimore të fakulteteve deri në datën 17 shtator, prej orës 08:00 deri në orën 18:00.
Regjistrimi paraprak
Për regjistrimin paraprak kandidati duhet të paraqitet personalisht pranë sekretarive mësimore dhe të dorëzojë një dosje individuale me dokumentet origjinale të mëposhtme: Dëftesë pjekurie origjinale; Dokument identifikimi dhe fotokopje të tij. Në dosje mbahet vetëm fotokopja e dokumentit të identifikimit; Dy fotografi; Mandat arkëtimi i tarifës së regjistrimit prej 1500 lekësh (numri i llogarisë ku do të derdhet tarifa duhet të kërkohet në fakultetin përkatës). Në kryerjen e procedurës së regjistrimit paraprak, sekretaritë mësimore të fakulteteve mbajnë regjistër të veçantë, ku kandidatët fitues shkruajnë vetë emrin, atësinë, mbiemrin dhe nënshkruajnë në momentin e regjistrimit për dorëzimin e dokumenteve, duke shënuar datën dhe orën e regjistrimit. Sekretaria mësimore e pajis kandidatin që regjistrohet me një fletë-regjistrimi paraprak, ku të shënohet numri i regjistrimit, emri i kandidatit, si dhe data e ora e regjistrimit. Fletë-regjistrimi paraprak duhet të jetë i nënshkruar nga dekani e nga kryesekretarja mësimore e fakultetit dhe duhet të jetë i vulosur.
Regjistrimi përfundimtar
Pas përfundimit të fazës së parë të regjistrimeve do të nisë procesi i regjistrimit përfundimtar. Listat përfundimtare të kandidatëve fitues, në formë të shkruar dhe elektronike, do t’u dorëzohen universiteteve në datën 25 shtator 2008 nga MASH-i. Brenda kësaj dite këto institucione duhet të afishojnë listat në vende të dukshme, në mjediset e fakulteteve përkatëse. Kandidatët që janë shpallur fitues në listat përfundimtare, në një program tjetër studimi, të një preference të tyre më të lartë, do të çregjistrohen nga programi i studimit ku janë regjistruar paraprakisht dhe të regjistrohen në programin e studimit ku janë shpallur përfundimisht fitues. Kandidatët, të cilët edhe në listat përfundimtare rezultojnë fitues në të njëjtin program studimi, nuk kanë nevojë të riregjistrohen. Sekretaritë mësimore të fakulteteve, në datat 26, 27, 28, 29, 30 shtator dhe 1, 2, 3 tetor 2008, prej orës 08:00 deri në orën 18:00, duhet të kryejnë çregjistrimet e kandidatëve që janë shpallur fitues në një program studimi tjetër, të një preference më të lartë të tyre dhe të regjistrojnë kandidatët e rinj fitues, sipas listave përfundimtare të fituesve, të shpallura nga APRIAL-i. Kandidatët që çregjistrohen, do tu kthehet dosja individuale me dokumentet që kanë dorëzuar.

Tarifat e shkollimit

Në Universitetin e Tiranës
Për të gjitha programet e studimit:
Në Fakultetin e Shkencave Natyrore 15 000 lekë
Në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja 15 000 lekë
Në Fakultetin e Drejtësisë 30 000 lekë
Në Fakultetin e Shkencave Sociale 30 000 lekë
Në Fakultetin e Mjekësisë
Programet e studimit:
Farmaci, Stomatologji dhe Shëndeti Publik 3000 lekë
Në programin e studimit në Mjekësi 25 000 lekë
Në Fakultetin e Infermierisë 25 000 lekë
Në Fakultetin e Histori Filologjisë 20 000 lekë
Në Fakultetin e Ekonomisë 25 000 lekë

Në Universitetin Politeknik të Tiranës
Në programin e studimit Arkitekturë 30 000 lekë
Në programin e studimit Inxhinieri Ndërtimi 25 000 lekë
Në programet e studimit
Inxhinieri Elektronike dhe Inxhinieri Elektrike 20 000 lekë
Për të gjitha programet e tjera të studimit: 15 000 lekë

Në Akademinë e Arteve
Në programin e studimit “Regji filmi” 80 000 lekë
Në të gjitha programet e tjera
të studimit të Akademisë së Arteve 30 000 lekë

Në Akademinë e Edukimit Fizik dhe Sporteve “Vojo Kushi”
Tarifa e shkollimit për
të gjitha programet e studimit 20 000 lekë

Në Universitetin Bujqësor të Tiranës
Në programet e studimit
Drejtim Fermash dhe Agrobiznes
Ekonomi dhe Politikë Agrare
Inxhinieri Pyjesh, Inxhinieri Përpunim Druri
Financë–Kontabilitet dhe Mjekësi Veterinare 20 000 lekë
Për të gjitha programet e tjera të studimit 15 000 lekë

Në Universitetin e Elbasanit “Aleksandër Xhuvani”
Për programet e studimit: Gjuhë-Letërsi, Gazetari,
Punë Sociale dhe Psikologji 15 000 lekë
Për të gjitha programet e tjera të studimit 12 000 lekë

Në Universitetin e Gjirokastrës “Eqrem Çabej”
dhe në Universitetin e Korçës “Fan S. Noli”
Për të gjitha programet e studimit 12 000 lekë

Në Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi”
Në programet e studimit: Gjuhë-Letërsi,
Punë Sociale dhe Psikologji 15 000 lekë
Në programin e studimit Drejtësi 16 000 lekë
Në të gjitha programet e tjera të studimit 12 000 lekë

Në Universitetin e Vlorës “Ismail Qemali”
Në programin e studimit Drejtësi 20 000 lekë
Në programin e studimit Gjuhë–Letërsi 15 000 lekë
Për të gjitha programet e tjera të studimit 12 000 lekë

Në Universitetin e Durrësit “Aleksandër Moisiu”
Për të gjitha programet e tjera të studimit 15 000 lekë

16 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›