E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbrojtja e Trebickës, pingpong mes Prokurorisë dhe Policisë



Ministria e Punëve të Brendshme nuk e kishte marrë në mbrojte Kosta Trebickën, ndërsa kjo ministri është shprehur se kërkesa për marrjen në mbrojtje duhet të kishte ardhur si propozim i Prokurorisë. Edhe pse dëshmitar kyç në çështjen e trafikut të paligjshëm të armëve, që doli në pah pas hetimeve të para për ngjarjen e rëndë të Gërdecit, Trebicka ishte lënë në mëshirë të fatit. “Mbrojtja bëhet vetëm me kërkesë prokurorie. Askush nga Prokuroria nuk na dërgoi kërkesë për mbrojtjen e Trebickës”, - thanë burimet nga Ministria e Brendshme. Mosmarrja në mbrojtje e një dëshmitari kyç ngre dyshime të rënda edhe për vetë organin e akuzës shqiptare. Prokuroria deklaroi publikisht se Trebicka nuk kishte shfaqur shenja pasigurie, ndërsa kjo deklaratë ka qenë gjithë shpjegimi nga ky organ. Biznesmeni Kosta Trebicka kishte dëshmuar edhe më parë frikën që ndjente kohët e fundit, pas dëshmive të bëra publike për aferën korruptive të armëve. Edhe në një prononcim për “NYT”, Trebicka kishte bërë të ditur se ndjehej i kërcënuar për jetën. Këtë e dëshmuan pas vdekjes dhe miq të ngushtë të biznesmenit. “Ishte shumë i frikësuar. I kam thënë të largohej, të ikte, mos të rrinte më këtu”, - ka deklaruar dy ditë më parë miku i Trebickës, Halit Vraja.

16 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›