E Diel, 1 Nëntor 2026

Ish-zyrtarë ankohen te Dobjani: “Policia dhe Prokuroria po na diskreditojnë”



Laureta Rryçi

Tiranë - Mbrojtja e imazhit të nëpunësit publik nga arrestimet e bujshme që shumohen në gjykatë ka qenë iniciativa më e fundit ligjore që ka ndërmarrë Avokati i Popullit. Ankesa nga disa ish-zyrtarë që ishin pjesë e Hipotekës së Durrësit i ka shërbyer Avokatit të Popullit t’u kujtojë zyrtarëve të shtetit për ruajtjen e të dhënave personale. Rekomandimi është adresuar për kryeprokuroren Ina Rama, ministrin e Brendshëm Bujar Nishani, atë të Drejtësisë Enkelejd Alibeaj dhe shumë funksionarë të tjerë. Sipas Dobjanit, çdo ditë shikojmë që cenohen të drejtat e njeriut duke u shpallur fajtorë herë nga policia dhe herë nga mediat, pa u dhënë për ta një vendim gjykate.
Sugjerimet
Dobjani ka shkruar se gjykon se informimi i publikut nga ana e Policisë të Shtetit apo Prokurorisë në këtë rast, duhet vlerësuar edhe në këndvështrimin e të drejtës së personave të dyshuar për mbrojtjen e të dhënave të tyre personale. Gjetja e një balance konkrete mes së drejtës për prezumimin e pafajësisë, të së drejtës për mbrojtjen e të dhënave personale të personit të dyshuar dhe të ushtrimit të kompetencave ligjore nga ana e autoriteteve përkatëse, do te ishte kriteri më i mirë për të kuptuar se moscenimi i prezumimit të pafajësisë, jo gjithmonë do të thotë moscenim i së drejtës për mbrojtjen e të dhënave personale. Në këtë kuptim, Avokati i Popullit është i mendimit se është e domosdoshme të respektohet kufiri i garancisë për mbrojtjen e të drejtave kushtetuese të individit, të cilat shpeshherë, në emër të një “diskrecioni” ligjor të autoriteteve publike shkelen haptazi. “Përderisa kemi përpunime të tilla të te dhënave personale nga ana e Policisë të Shtetit, Prokurorisë dhe nga ana e medias së shkruar dhe vizive, është ironike të mendosh se subjektit të cilit i bëhet publike e dhëna personale, mund t’i jepet mundësia e shpejtë e ushtrimit të së drejtës të kundërshtimit të përpunimit të të dhënave personale të tij nga subjektet përkatës, ose të ftohet të dalë në TV pas 4-5 ditësh për të informuar opinionin publik për vendimin e gjykatës që mund të ketë cilësuar ndalimin apo arrestimin e tij si të paligjshëm”, - shkruhet në rekomandimin e Dobjanit. Sipas Dobjanit, kjo situatë nuk është pasojë e shkakut të mungesës së parashikimeve ligjore, por e praktikave të gabuara që ndiqen nga ana e Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë për publikimin e të dhënave personale të individëve.
Kodi i munguar
Në vitin 2006, Instituti Shqiptar i Medias ka përgatitur dhe ka nxjerrë një botim të titulluar “Kodi Etik i Medias Shqiptare”, për të cilin inspektorët e Avokatit të Popullit janë shprehur se përmban përcaktime shumë të përgjithshme dhe shpeshherë konfuze, ndërkohë që ka mungesa të dukshme në aspektin e parashikimeve me karakter detyrues dhe penalizues. Si i tillë, ky Kod Etik nuk mund të shërbejë si bazë dhe garanci për përdorimin ligjor të të dhënave personale për rastin në fjalë, si një përdorim i lidhur ngushtë me qëllimet e gazetarisë.

Si veprojnë shtetet e huaja

Praktika e ndjekur në vende të tilla si Italia apo Franca, përcakton qartë se “publikimi i fotografive dalluese është i lejueshëm vetëm për qëllimet e drejtësisë ose ato policore” dhe kjo është lehtësisht e verifikueshme, që nga publikimet në internet dhe në të gjitha rrjetet televizive, ku jepen sekuenca pamore nga kërkimet ose arrestimet e personave të hetuar për terrorizëm ndërkombëtar, për krime lufte etj. Ndodh edhe publikimi i pamjeve vizive të personave të dyshuar për prishje të rendit publik, trafikut të drogës dhe qenieve njerëzore, rrjeteve mafioze, pastrimit të parave, nga ana e mediave vizive, por vetëm për qëllime gazetarie.

16 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›