E Shtunë, 31 Tetor 2026

Trebicka, misteret e dëshmitarëve dhe provave kontradiktore në vendngjarje



Habjon Hasani

Tiranë - Aksidentin e pretenduar deri tani të Kosta Trebickës, veç të tjerave, e mbulon dhe një seri dëshmish që e bëjnë edhe më misterioze ngjarjen. Duke iu referuar ekspertëve me eksperiencë, gazeta “Albania” ngre një sërë pyetjesh për policinë. Nuk ka ende një skemë ku të paraqitet një nga variantet e aksidentit. Po rreth aksidentit ka mjaft dilema, pasi nuk e ka shpjeguar askush se me ç’shpejtësi kishte lëvizur drejtuesi i mjetit, a ka pasur shenja frenimi, si është batuar makina dhe si ka mundësi që ajo është dëmtuar vetëm në njërin krah. Duhet të thuhet se sa automjete të tjera kanë lëvizur në atë rrugë dhe a janë identifikuar personat që kanë qenë në to. Kush e ftoi Kosta Trebickën për gjueti në Voskopojë? A kishte një person të dytë me të në gjueti, pasi provat tregojnë se ka gjurmë që nuk janë të tij dhe shapka e gjetur pranë kufomës së tij e përforcon këtë. Pavarësisht veshjes së tij me rroba gjuetie, a ka shkuar ai vërtet për të ushtruar hobin e vet, apo tjetër takim e kishte joshur? A ka mbërritur tabulati i telefonatave të tij dhe a janë verifikuar të gjitha thirrjet e dala ose të marra nga i ndjeri para ngjarjes? S’kemi përgjigje për faktin se pse u lëviz makina nga vendi i ngjarjes dhe a nuk përbën kjo një arsye për prishjen e këtij të fundit, gjë që ka ndodhur edhe në rastin e hetimeve të Gërdecit. A ka shenja gjaku në makinën e të ndjerit Trebicka, kur mendohet se ajo ka rënë mbi të duke i shkaktuar, sipas policisë, politraumën në kokë dhe në pjesën e gjoksit. Askush nga ekspertët nuk ka dhënë deri tani një përgjigje se pse arma e gjahut u gjet disa metra larg trupit të pajetë të Kosta Trebickës. Ekspertët mjekoligjorë nuk janë shprehur në ka pasur apo jo thyerje të kockave të të ndjerit, duke pasur parasysh që kjo, e thënë trashë, duhet të ndodhë kur sipër teje bie një fuoristradë me peshë të madhe si “Nisan patroli”.
Kontradiktat
Koço Bardhi, personi që e gjeti i pari të gjakosur Kosta Trebickën, ka treguar në një intervistë për mediat vizive ngjarjen nga momentet para se të gjente trupin e deri tek ardhja e policisë. Dëshmitari Bardhi ka pohuar një detaj tejet të rëndësishëm lidhur me vendin e ngjarjes. Ai ka shpjeguar se para se të shkonte pranë vendit të ngjarjes dy makina kanë kaluar në mënyrë të njëpasnjëshme dhe i kanë ngritur atij dorën duke i bërë me shenjë për nga vendi ku kishte ndodhur aksidenti. Në bazë të dëshmisë së Koço Bardhit, ka qenë shoferi i makinës së tretë që ka kaluar që i ka thënë shkoqur se pak më lart kishte ndodhur aksidenti. Por në këto kushte vlen të mësohet se a janë pyetur drejtuesit e dy automjeteve që kanë dhënë shenjë për dëshmitarin?! Ekspertë të policisë kanë deklaruar për “Albania”-n se “duket pak e dyshimtë që dy automjete të kenë vazhduar rrugën, ndërsa trupi ka qenë i shtrirë në mes të rrugës. Zakonisht ndodh që mjetet të ndalojnë dhe ta ndihmojnë ose të sinjalizojnë policinë nëpërmjet telefonit. Duket shumë e dyshimtë ecuria e ngjarjeve para se dëshmitari të zbulonte trupin”, - i kanë deklaruar ekspertët “Albania”-s.
Dëshmia
“Kaloi një makinë dhe shoferi ngriti dorën, kaloi një tjetër makinë dhe sërish shoferi ngriti dorën. Pas çerek ore kanë ardhur punëtorët e kromit nga Tirana dhe pasi kanë parë makinën, më thanë se kishin gjetur një makinë të dëmtuar. Shkova dhe pashë një person me rroba ushtarake të gjakosur. Mora në telefon policinë dhe ata më thanë të mos prek asgjë me dorë”, - është shprehur Bardhi. Kjo dëshmi e tij duket se hap një “pistë të gjerë” lidhur me hetimin pasi në një hark të konsiderueshëm kohor në vendin e ngjarjes del se kanë kaluar të paktën tre automjete. Vendndodhja e kufomës në mes të rrugës e bën dhe më të dyshimtë këtë të dhënë në kushtet kur vetë makinave që kanë kaluar, si rregull, u është dashur të shmangin rrugën, pasi kufoma ka qenë i shtrirë në mes të saj.
Banori
Një tjetër banor i Voskopojës është gjendur si dëshmitar në çastet kur është zbuluar automjeti i rrëzuar. “Se kush e mori nga ata të policisë gati gjysmë ore më vonë. Viktima ishte mbuluar me gjak në fytyrë. Kujtova se mund të ishte dikush tjetër që mund ta kishte vrarë, por nuk kishte njeri rreth e rrotull”, - tregon dëshmitari. Ekspertiza ka zbuluar se trupi ka vdekur në orën 12 të mesditës, ndërsa harku kohor prej 2 orë e gjysmë deri në gjetjen e tij, lë dyshime se me “skenën e krimit” mund të jenë kryer “eksperimente” për paraqitjen e gjithë zhvillimeve si një aksident. Sidoqoftë, hetuesit shprehen se është ende herët për të sqaruar se çfarë ka ndodhur në të vërtetë, nëse vdekja e Trebickës është aksidentale, apo jo.

Ekspertët: “Gjendja e makinës, shumë e dyshimtë”

Disa ekspertë kriminalistikë, të pyetur nga “Albania”, janë shprehur se gjendja (e cila duket në pamje të parë) e makinës ngre dyshime logjike lidhur me skenën e vendngjarjes. “ Është evidente se makina është dëmtuar vetëm në njërën anë të saj. Po kaq evident është dhe fakti se kufoma gjendet në një distancë të konsiderueshme nga mjeti. Nëse mjeti, pasi është rrokullisur, është dëmtuar kaq pak, logjikisht del se mjeti ka ecur me shpejtësi të vogël. Në këto kushte, kur mjeti ka qenë me shpejtësi kaq të vogël, lind pyetja: si mund ta ketë hedhur aq larg ky mjet viktimën? Nëse e ka hedhur menjëherë dhe pastaj ka vazhduar për inerci, pyetja është: si mund të ecte për inerci paralel me viktimën?” - i kanë thënë ekspertët “Albania”-s, të cilët shprehen të sigurt se ekspertimi profesional i makinës mund të jetë çelësi i zgjidhjes së enigmës. Përveç këtij fakti ata janë shprehur se për hir të kompleksitetit të skenës së krimit, heqja e makinës nga vendngjarja mund të rezultojë një veprim në dëm të zbardhjes së rrethanave.

Plagët e Trebickës, priten analizat kimike

Ndërsa mjekësia ligjore ka përcaktuar politraumën si shkak të vdekjes së biznesmenit Trebicka, tashmë ngelet për t’u përcaktuar se nga erdhi kjo politraumë, nëpërmjet analizave kimike të plagëve. Zakonisht politraumat janë tipike për aksidentet rrugore dhe nuk janë gjë tjetër veçse përplasje e dhunshme dhe e gjithanshme e trupit të viktimës me automjetin. Por politrauma mund të shkaktohet edhe nëpërmjet “përplasjeve të tjera” apo goditjes me mjete të forta në shumë pjesë të trupit. Kësisoj, në këtë rast është vetëm analiza kimike ajo e cila përcakton nëse ka lidhje mes plagëve, llojit të plagëve dhe automjetit. Sakaq pritet që shumë shpejt të fillojë dhe ekspertimi i automjetit, i cili, siç pritet, do të jetë një ekspertim mekanik dhe kimik. Sipas analizave të mjekësisë ligjore, Kosta Trebicka ka vdekur si pasojë e politraumës, pra e goditjeve që ai ka marrë në kokë dhe në gjoks. Por ky është konkluzioni paraprak i autopsisë së kryer nga ekspertët e Mjekësisë Ligjore të Korçës dhe atyre që mbërritën atje nga Tirana. “Shkaku i vdekjes së viktimës ka qenë politrauma, e shoqëruar me shembje të kokës dhe të gjoksit, me dëmtime të organeve përkatëse me mekanizmin e goditje-përplasjes”, - thanë ekspertët e Mjekësisë Ligjore dy ditë më parë. Edhe pse ka mbërritur pas më shumë se gjashtë orëve nga ngjarja në morgun e Korçës, ekspertët mjeko-ligjorë për gjithë natën kanë kryer këqyrjen e kufomës, me ndihmën edhe të specialistëve të Institutit të Mjekësisë Ligjore.

16 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›