E Diel, 1 Nëntor 2026

Sefgjini u prezantua si profesor fizike

Ish- punonjësi i SHIK-ut rrëfen detajet e disa ditëve përpara rrëmbimit të Zizo Kristopulit në qytetin e Sarandës

TIRANË- “Arben Sefgjini, bashkë me dy efektivë të SHIK-ut të ardhur nga Tirana, ka qenë në Ksamil një javë para rrëmbimit të Ziso Kristopulit, në lokalin e këtij të fundit ku kemi ngrënë drekë dhe është prezantuar si profesor fizike”. Kjo është një nga pjesët e dëshmisë së agjentit të SHIK-ut Beqir Tërshalla, i cili në fillim të tetorit të vitit 1995 shoqëroi me urdhër të shefit të tij drejt Ksamilit drejtorin e SHIK-ut të Tiranës, Arben Sefgjini, bashkë me dy agjentë të tjerë që kishin si mision vëzhgimin e punës së minoritarit grek Ziso Kristopuli. Seanca u mbajt me dyert të mbyllura dhe agjenti në SHIK-un e Sarandës ndryshoi deklarimet nga ato të dhëna në hetuesi, duke e detyruar prokurorin të lexojë procesverbalin e marrjes në pyetje gjatë fazëshetimore, procesverbal që pas leximit u administrua si provë materiale në fashikullin e gjykimit.

Dëshmitari Tërshalla është përgjigjur në pjesët më të madhe të rasteve vetëm duke thënë “nuk mbaj mend pasi kanë kaluar vite” dhe në disa raste, sipas prokurorisë, edhe pse nën betim nuk deklaroi të vërtetën, duke mos e konfirmuar prezencën e Sefgjinit në Ksamil një javë para rrëmbimit të Ziso Kristopulit. Ky i fundit në dëshminë e tij dhënë para gjykatës pak javë më parë, u shpreh se “personi i cili ka ardhur në lokalin tim në Ksamil bashkë me Beqir Tërshallën një javë para rrëmbimit tim dhe që është prezantuar si profesor, ka ardhur në qelinë e Vainës në Lezhë dhe më ka rrahur mua dhe Remi Hoxhën e Avdyl Loshajn. Këtë person nuk jam në gjendje ta identifikoj, por që shtetasi Beqir Tërshalla e njeh dhe ju konfirmon se kush është sepse ai e di”,- ka deklaruar Kristopuli. Por, dje gjatë dëshmisë së tij para gjykatës, Tërshalla nuk pranoi ta identifikonte personin në fjalë. Pas kësaj “gënjeshtre”, sipas akuzës, prokurori i çështjes Xhevat Hana kërkoi të lexonte procesverbalin e marrjes në pyetje të agjentit Tërshalla, i cili tregon me hollësi vizitën e të pandehurit Sefgjini në Ksamil. “Ka qenë fillimi i tetorit, kur shefi im Alfred Duka më ka urdhëruar të shoqëroj tre personat e ardhur nga Tirana për në Ksamil, mes tyre drejtorin e SHIK-ut të Tiranës, Arben Sefgjini. Arsyen e vizitës nuk ma treguan porkërkuan të shkonin në lokalin e shtetasit Ziso Kristopuli dhe më kërkuan informacion shtesë për këtë shtetas. Shkuam atje bashkë me Sefgjinin dhe dy persona të tjerë dhe hëngrëm drekë. Sefgjini u prezantua si profesor fizike dhe pas drekës dhe shkëmbimit të muhabeteve të ndryshme mes nesh dhe Kristopulit u larguam. Para kësaj kohe, jam urdhëruar të shoqëroj një gazetar Austriak, i cili nuk fliste shqip dhe që kishte banuar disa ditë te Ziso Kristopuli, dëshmia e tij ndodhet në zyrat e SHIK-ut në Sarandë”,-mësohet të ketë dëshmuar Tërshala në prokurori. Procesverbal i cili u administrua në dosje edhe pas kundërshtimeve të avokatëve mbrojtës. Gjithashtu, gjatë ditës së djeshme, dëshmuan në cilësinë e dëshmitarëve të dosjes, edhe katër shtetas të tjerë, Ilir Xhela ish-punonjës policie në Komisariatin nr.3, i plotfuqishmi i zonës ku është kryer rrëmbimi i biznesmenit Hoxha, Alban Omari, ish-hetues i çështjes, Gjergji Jorgo, ish-shef i komisariatit nr.3 tashmë me detyrë zvdrejtor në Drejtorin e Policisë në kryeqytet dhe ish-punonjësi i Presidencës gjatë viteve 1992-1997 që kryente detyrën e përgjegjësit të letrave dhe ankesave të popullit.

THIRRJET

TIRANË- Seancën e radhës do të vijë për të dëshmuar ish-Ministri i Rendit në atë kohë, Agron Musaraj për të dhënë shpjegime për dijeninë që ai kadhe veprimet që ka kryer në lidhje me rrëmbimin dhe zhdukjen e biznesmenit kosovar Remzi Hoxha. Gjithashtu, me kërkesë të akuzës, gjykata urdhëroi policinë e shtetit të sjellë me dhunë për të dëshmuar katër dëshmitarë nga Saranda, mes tyre vajzën e viktimës së këtij rrëmbimi, Alma Kristopuli, e cila nuk i përgjigjet katër thirrjeve të dërguara nga gjykata.

AKUZA

TIRANË- Të pandehurit Arben Sefgjini, aktualisht drejtor i Përgjithshëm i Tatimeve, Ilir Kumbaro dhe Avni Koldashi po gjykohen në gjendje të lirë për zhdukjen e Remzi Hoxhës, rrëmbimit të Avdyl Loshajt dhe Ziso Kristopulit të shoqëruar me torturë të rëndë. Sipas kërkesës për gjykim, të pandehurit akuzohen se në bashkëpunim me njeri-tjetrin por në role dhe kohë të ndryshme, gjatë muajit shtator-tetor 1995 kanë rrëmbyer shtetasit Remzi Hoxha, Avdyl Loshaj dhe Ziso Kristopuli dhe në mënyrë të dhunshme i kanë çuar në një ndërtesë në administrim të SHIK-ut, në vendin e quajtur Vain të rrethit Lezhë. Aty “pengjet” janë torturuar për disa ditë nga ku ka gjetur vdekjen biznesmeni kosovar shtetasi Remzi Hoxha, trupi i të cilit ende nuk është gjetur.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›