Gërdec, rinisin kërkimet për 25-vjeçaren e zhdukur
Një punonjëse tjetër e fabrikës së çmontimit të municioneve në Gërdec është deklaruar e zhdukur, duke sjellë kështu rinisjen e hetimeve në kraterin e shpërthimit. Burimet nga Shtabi i Emergjencës bënë të ditur se kanë rinisur kërkimet në kraterin e ish-punishtes të çmontimit të armëve në Gërdec. Tri ditë pasi u deklarua zyrtarisht se në kraterin e shpërthimit nuk ka më të zhdukur, një familje ka denoncuar për zhdukjen e Shqipe Alhasas, 25 vjeçe, punonjëse në sektorin e predhave. Kjo ka detyruar grupin e asgjësimit të municioneve EODI të nisë sërish kërkimet, duke pohuar se vajza e zhdukur mendohet të ketë humbur jetën në kraterin e shpërthimit. Por, familjarëve u është dashur kohë për t‘u orientuar, pasi ata shpresonin se ajo gjendej në spital. Kur kanë kontrolluar në spitale dhe nuk e kanë gjetur, atëherë ata janë detyruar të denoncojnë për zhdukjen e saj. Denoncimi i ka lënë të habitur drejtuesit e Shtabit të Emergjencës, të cilët kishin deklaruar se nuk kishte më persona të pajetë në kraterin e shpërthimit. Siç dihet, së bashku me EODI-n në vendngjarje, prej ditës së hënë, janë edhe specialistë amerikanë të Komandës Ushtarake Evropiane, të kryesuar nga atasheu ushtarak. Ata u janë bashkangjitur hetimeve në terren për të përcaktuar saktësisht nëse bëhet fjalë për një shpërthim brenda repartit, apo të provokuar nga jashtë. Për shkak të reshjeve të shiut, forcat e ushtrisë e kanë pasur të pamundur çminimin e terrenit, ndërsa Shtabi Operacional i Gërdecit ka qenë i pranishëm jo vetëm me postblloqet, por edhe në çadrat e emergjencës të ngritura prej ditësh. Në lidhje me ngjarjen e Gërdecit, policia ka nxjerrë edhe raportin e saj të 10 ditëve, ku ka treguar masat e marra për këtë tragjedi. Policia tha se ditën e ngjarjes, në më pak se një orë në vendin e ngjarjes, ishin përqendruar rreth 1000 forca policie të Drejtorisë së Policisë të Qarkut Tiranë, të cilat u shpërndanë në një perimetër të gjerë. Ndërkohë, 1000 forca të tjera të Drejtorisë së Policisë të Qarkut Tiranë u vunë në gatishmëri për të kontrolluar situatën e rendit dhe të sigurisë publike në kryeqytet. Po ashtu, 250 forca policie të Tiranës, Durrësit dhe Krujës, menjëherë kanë bërë të mundur pastrimin e rrugëve automobilistike, me qëllim kalimin e lirë të autoambulancave dhe mjeteve të policisë në drejtimin Gërdec-Krujë-Durrës-Tiranë. Paralelisht me këto masa, në të gjitha strukturat vendore të Policisë së Shtetit u rrit gatishmëria dhe u përforcuan shërbimet e policisë, duke pasur si qëllim parandalimin e çdo cenimi të rendit e të sigurisë publike, si dhe për të parandaluar konfuzionin dhe panikun, që shpeshherë është i pranishëm në këto raste.
Itali
Vdes një anëtare tjetër e familjes Deliu
Ndërron jetë në Itali një prej të plagosurve të tragjedisë së Gërdecit, duke çuar në 23 viktima bilancin e ngjarjes së rëndë. Kore Deliu, anëtare e familjes Deliu, që pati dhe numrin më të madh të viktimave në tragjedinë e Gërdecit, ndërroi jetë në orët e para të mëngjesit të djeshëm në spitalin e Brindisit, si pasojë e plagëve të djegies të marra nga shpërthimet e municioneve. Vetëm nga familja Deliu janë shënuar deri tani katër viktima, mes të cilave dhe një grua shtatzënë dhe fëmija i saj, Flavio Deliu, i cili ishte vetëm 3 vjeç. Familja Deliu banonte pranë fabrikës së çmontimit të municioneve në Gërdec, që shpërtheu më 15 mars, duke shkaktuar dëme në njerëz dhe në ekonominë e banorëve e bizneseve aty pranë. Kore Deliu është viktima e tretë që vdes në spitalet e Italisë, duke mos u mbijetuar plagëve të marra nga shpërthimi. Gjatë ditëve paraardhëse gjetën vdekjen edhe Azem Ameliu, 47 vjeç dhe Nafie Laçi, 37 vjeçe. Tashmë, numri i të vdekurve nga tragjedia ka shkuar 23, ndërkohë që tri viktima janë ende të paidentifikuara.