Gërdec, ushtarakët vazhdojnë pastrimin e predhave
TIRANË – Ende vazhdojnë punët trupat xheniere të ushtrisë për pastrimin e zonës së tragjedisë për pastrimin e saj nga predhat e paplasura dhe municionet e tjera ushtarake. Burime nga Ministria e Brendshme thanë për gazetën se përveç forcave shqiptare veprojnë në kraterin e shpërthimit edhe ushtarakët danezë të specializuar në fushën e armatim-municioneve.
Raporti
Ministria e Brendshme në njoftimin e djeshëm për shtyp se në zonat e prekura nga tragjedia e 15 marsit në Gërdec të bashkisë Vorë, vazhdon puna për pastrimin e tyre. Po sipas këtij njoftimi të dikasterit blu thuhet se në zonën e emergjencës, po operojnë gjithsej 429 efektiva (forca kërkimi 50, forca sigurie 69 (30 forca të Policisë së Shtetit) dhe forca mbështetëse 311). Bashkë me këto forca, po operojnë edhe 24 danezë të DCA dhe 13 xhenierë të TMK, si dhe 68 mjete, ku në këtë numër kanë operuar 4 mjete të TMK, 3 të Policisë së Shtetit dhe 1 mjet danez. Operacionet u përqendruan edhe në kërkimin e një personi të deklaruar të humbur nga familjarët, por ende nuk është gjetur ndonjë trup viktime. Ndërkohë ka vazhduar krehja e zonës për gjetjen dhe grumbullimin e predhave, për kontrollin e banesave, për certifikimin e tyre, për shtrimin e rrugëve me çakull. Lidhur me gjetjen dhe grumbullimin e predhave, u rikontrollua një sipërfaqe prej 51 ha, u pastruan 20 ha, u grumbulluan 106 copë predha të paplasura, 220 copë djegore, 300 copë kapsolla dhe gëzhoja, 5 kg barut në qese, si dhe u kontrolluan dhe u certifikuan 55 shtëpi. U transportuan 60 m 3 çakull për shtrim rruge dhe u ruluan 600 m2 rrugë.
Ndihmat
Po ashtu në kontributin që po jepet nga efektivat bëjnë pjesë edhe shkarkimi dhe magazinimi i 5 tonë ndihmave si dhe transportimi dhe shpërndaja e 7 tonë ndihma ushqimore e detergjentë. Ndërkohë vazhdojnë të mbeten në akomodim në Durrës rreth 700 persona të prekur nga tragjedia e 15 marsit në Gërdec të bashkisë Vorë, kur dihet që dy ditë më parë kjo shifër nuk shkonte më shumë 659 vetë. Ministria e Brendshme bëri të ditur të mërkurën për gazetën “Albania” se në konvaleshencën e kësaj ministrie janë akomoduar 364 persona, në konvaleshencën e Ministrisë së Mbrojtjes 202, dhe në kompleksin "XIXA" 98 shtetas.
3 Prill 2008