“Gërdeci”, familjarët e viktimave hedhin në gjyq Prokurorinë
Tiranë- Familjarët e viktimave të Gërdecit kanë vendosur të padisin Prokurorinë e Përgjithshme, e cila, sipas tyre, ka injoruar kërkesat e vazhdueshme mbi imunitetin e ish-ministrit të Mbrojtjes. Pak ditë më parë, shoqata “Familjarët e viktimave të Gërdecit” kanë dorëzuar në Gjykatën e Tiranës kërkesë-padinë me anën e së cilës kërkojnë nga Prokuroria një përgjigje zyrtare për imunitetin e ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu. Çështja është regjistruar në Gjykatën e Shkallës së Parë, me nr. 376 dhe ka si objekt të drejtën e personave të dëmtuar nga vepra penale. Sipas një prej avokatëve që përfaqëson shoqatën e familjarëve të Gërdecit, çështja ka si objekt tri kërkesa të vazhdueshme që i janë drejtuar Prokurorisë së Përgjithshme, e cila ende nuk ka dhënë një përgjigje zyrtare. Sipas kërkesë-padisë, që do të nisë të shqyrtohet më 1 mars të këtij viti, shoqata që përfaqëson familjarët e atyre që humbën jetën nga shpërthim tragjik i 15 marsit të vitit 2008, duan të marrin një përgjigje zyrtare për kërkesën e tyre. Duke qenë se ata në mënyrë të vazhdueshme kanë kërkuar nga Prokuroria e Përgjithshme të kërkojë heqjen e imunitetit të ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, gjë për të cilën ende nuk kanë marrë përgjigje. Kjo kërkesë është përsëritur tri herë me radhë, menjëherë pasi Gjykata e Lartë pushoi çështjen ndaj z. Mediu. Fillimisht dy prej të plagosurve nga tragjedia paditën ish-ministrin në Gjykatën e Lartë, e cila vendosi të pushojë çështjen. Paralelisht me këtë proces, familjarët e viktimave kanë kërkuar takim me kryeprokuroren Ina Rama, dhe zyrtarisht kanë kërkuar nga institucioni që ajo drejton të bëhen përpjekjet e duhura ligjore që imuniteti të mos jetë pengesë për përballjen e ish-ministrit të Mbrojtjes me drejtësinë. Por sipas padisë, kërkesat e tyre nuk kanë marrë asnjë përgjigje nga Prokuroria e Përgjithshme. Në këtë situatë, dy avokatët mbrojtës kanë vlerësuar se përgjigjet janë automatikisht negative, përderisa organi i akuzës nuk merr mundimin të përgjigjet zyrtarisht për një tragjedi kaq të rëndë, duke vendosur kështu zgjidhjen e çështjes në Gjykatë. Nëpërmjet kësaj padie, shoqata “Familjarët e viktimave të Gërdecit” kërkon nga gjykata të detyrojë Prokurorinë të tregojë arsyet përse mungon një përgjigje për këtë çështje që konsiderohet mjaft e rëndësishme. Shqyrtimi i kësaj kërkese do të nisë më 1 mars nën drejtimin e gjyqtarit Albert Meça. Zyrtarisht çështja është regjistruar me objekt “të drejtat e personit të dëmtuar nga veprat penale”. Sipas nenit 58/3, të Kodit të Procedurës Penale, parashikohet që i dëmtuari ka të drejtë të parashtrojë kërkesa në organin procedues dhe të kërkojë marrjen e provave. “Kur kërkesa e tij nuk pranohet nga prokurori, ai ka të drejtë të ankohet në gjykatë brenda 5 ditëve nga marrja dijeni”- thuhet në këtë nen. Duke qenë se në rastin konkret nuk ka përgjigje nga Prokuroria e Përgjithshme, sipas avokatëve, përgjigjja presupozohet të jetë negative dhe për këtë arsye çështja ka përfunduar në gjykatë.