Kapen 2 kg kokainë në Itali, katër shqiptarë në pranga
Një operacion antidrogë i karabinierëve italianë çoi në pranga katër shqiptarë, të akuzuar për trafik kokaine. Shqiptarët u kapën me 2.2 kilogramë kokainë, lëndë narkotike kjo e bllokuar nga policia italiane, pas operacionit të zhvilluar në zonën e Savonës. Hetimet kanë filluar javën e shkuar, ku janë diktuar lëvizjet e dyshimta të një shqiptari 28-vjeçar me inicialet P.G., rezident në Savona, i skeduar më parë nga policia e kësaj zone për implikime në shpërndarjen e drogës. Ky person ishte parë nën shoqërinë e dy të rinjve të tjerë, edhe këta shqiptarë, por të pa skeduar më parë. Lëvizjet e tyre kanë ngjallur dyshimet e policisë italiane, të cilët kanë futur në operacione vëzhgimi disa agjentë. Pas vëzhgimeve disaditore, agjentët kanë çuar karabinierët drejt vendit ku tre shqiptarët takuan të katërtin, një 36-vjeçar me inicialet H.S., drejtues i një kamioni. Ora e vonë dhe vendi i takimit, në periferi të zonës së quajtur Tirreno Power, u lanë të kuptonin karabinierëve se kishin të bënin me një aktivitet të paligjshëm. E në momentin kur njëri prej tre djemve shqiptarë u largua në këmbë me kamionistin, duke u drejtuar nga një ngarkesë në errësirë, u kuptua që ishte momenti për të ndërhyrë. Dy të panjohurit u identifikuan nga policia italiane. Ishin 30 dhe 31 vjeç e nuk kishin shumë kohë që kishin shkuar në Itali. Lënda narkotike u zbulua poshtë sediljes së automjetit të 36-vjeçarit me inicialet H.S. dhe pas peshimit rezultoi të ishte më shumë se 2 kilogramë kokainë. Katër shqiptarët e arrestuar gjatë këtij aksioni u shoqëruan me pranga në duar në mjediset e policisë së Savonas, ku edhe janë marrë në pyetje. Sipas mediave italiane, ata rrezikojnë deri në 10 vjet burg për aktivitet kriminal, e nëse mes tyre zbulohet organizatori i këtij trafiku, dënimi i parashikuar për të fillon nga 20 vjet burg.