E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Gërdeci”, 19 minutat që s‘parandaluan katastrofën

Tragjedia e Gërdecit mund të parandalohej për 19 minuta. 

Trazhgim Sokolaj

Katastrofa nuk është evituar për shkak të mungesës së pajisjeve të emergjencës brenda në fabrikën e çmontimit të ngritur nga Mihal Delijorgji në ish-repartin ushtarak të tankeve në Gërdec. Prokuroria e Përgjithshme ka përllogaritur se kontenjerët e mbushur me barut të cilët shkaktuan shpërthimin katastrofik kanë marrë flakë 19 minuta pasi njëra prej karrocave brenda fabrikës kishte marrë zjarr. Sipas hetimeve të Prokurorisë, origjina e shpërthimit ka qenë njëra nga katër karrocat e transportit të barutit e cila ka marrë zjarr nga shkëndijat në momentin kur po saldohej në një pjesë të dëmtuar të saj si pasojë e mbingarkesës. Që nga ky moment derisa janë aktivizuar kontenjerët e mbushur me 600-700 tonë barut që ndodheshin në oborrin e fabrikës kanë kaluar plot 19 minuta kohë. Gjatë këtij intervali kohor, sipas hetimeve, punëtorët që ndodheshin në fabrikë mund të vepronin duke izoluar zjarrin nëse do të kishin mjetet e nevojshme. Megjithatë pajisjet e ndërhyrjes në rast zjarri kanë munguar dhe personat që ndodheshin brenda në fabrikë kanë qenë krejt të pafuqishëm për të parandaluar ngjarjen. Sipas rregullores dhe ligjeve në fuqi, çdo fabrikë ku depozitohet, përpunohet armatim apo municione, duhet të ketë brenda ose pranë saj, pajisje për shuarjen e zjarrit si uji, batanijet dhe mjetet e tjera parandaluese duke përfshirë këtu dhe shërbimin e zjarrfikëseve që duhet të qëndrojë për 24 orë pranë objektit. Nga hetimet e bëra prej Prokurorisë ka rezultuar se në fabrikën e çmontimit të fishekëve dhe predhave në Gërdec, mungonin jo vetëm zjarrfikëset por çdo mjet tjetër i nevojshëm për izolimin e vatrave të mundshme të zjarrit. Ky fakt duket se është një moment që bën me përgjegjësi direkte ish-drejtorin e ndërmarrjes MEICO, Ylli Pinari dhe pronarin e drejtuesin e fabrikës, Mihal Delijorgji dhe Dritan Minxolli. Punëtorët që ndodheshin brenda fabrikës nuk kanë pasur mundësi të shuajnë zjarrin e shkaktuar prej karrocës së mbushur me barut, e cila ka marrë flakë në momentin kur po saldohej. Zjarri i shkaktuar nga karroca, që ndodhej 11 metra larg portës hyrëse të fabrikës, ka aktivizuar më pas djegien e barutit që ndodhej përtokë i hedhur pa kujdes. Mes kësaj sasie baruti ka pasur predha të paçmontuara, të cilat janë aktivizuar nga flakët e nxehtësia duke goditur kontenjerët që ndodheshin në krahun e djathtë të hyrjes së fabrikës. Ky ka qenë momenti final i shpërthimeve katastrofike që u morën jetën 26 personave, plagosën mbi 300 të tjerë dhe dëmtuan mbi 5 mijë shtëpi.

Vorë, greva e punëtorëve, shfaqen shqetësimet e para

VORE – Janë shfaqur dje shqetësimet e para shëndetësore për 8 ish-punëtorët grevistë të fabrikës së çmontimit të predhave në Gërdec. Ata kanë hyrë në ditën e tretë të grevës së urisë, ndërsa dje kanë filluar ankesat për dhimbje koke, stomaku dhe humbje ndjenjash. Pjesëmarrësit në grevë megjithatë nuk kanë asnjë sinjal për zgjidhjen e kërkesave që i kanë drejtuar Qeverisë. Ekzekutivi dhe pushteti vendor nuk kanë shfaqur asnjë reagim që kur ish-punëtorët e Gërdecit filluan grevën e urisë duke kërkuar plotësimin e kërkesave të tyre. Të vetmit që janë treguar të vëmendshëm ndaj grevës, janë ish-kolegët e punëtorëve të çmontimit në Gërdec, të cilët qëndrojnë pranë ambientit ku po zhvillohet greva. Sipas deklaratës së grevës, 157 ish-punëtorët që arritën të shpëtojnë nga shpërthimi kërkojnë ndihmë financiare, 400 mijë lekë për person, pagën e një viti dhe sigurimet shoqërore bashkë me shërbimin shëndetësor falas.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›