Gërdeci, Delijorgji padit Prokurorinë në Strasburg
Mihal Delijorgji, i arrestuari kryesor për tragjedinë e Gërdecit padit në Strasburg shtetin shqiptar, për sekuestrimin e pasurive të tij.
Padia e Delijorgjit është depozituar në Gjykatën Evropiane pak ditë më parë dhe është vlerësuar paraprakisht, se duhet të shqyrtohet me urgjencë, për shkak të afateve të shkurtra që ligji vë në dispozicion të çështjeve të tilla. Pak ditë më parë shteti shqiptar ka marrë konfirmimin për padinë e Delijorgjit dhe i është kërkuar dërgimi në gjykatë i observacioneve për këtë çështje para se të nisë shqyrtimi i saj. Pretendimi i ngritur nga Mihal Delijorgji dhe dy avokatët e tij mbrojtës, është se Prokuroria dhe më pas gjykata, në vendimin e sekuestros nuk kanë respektuar kushtet familjare, kur kanë vendosur bllokimin e të gjitha aseteve pronë e tij apo anëtarëve të tjerë të familjes Delijorgji. E thënë ndryshe, sipas paditësve Prokuroria nuk ka marrë parasysh faktin, se këto pasuri të bllokuara janë mjet jetese për familjen e të arrestuarit, të cilët kanë pjesën e tyre në këto asete. Gjithashtu, pohohet se pas verifikimeve të kryera nga pala e paditur, në këtë rast qeveria shqiptare, ka rezultuar se kompanitë e Mihal Delijorgjit mbi të cilat ka vendim sekuestroje, vazhdojnë normalisht aktivitetin e tyre me një xhiro mujore, që shpeshherë i kalon 600 milionë lekët e vjetra. Më tej, bëhet e ditur se këto kompani vazhdojnë të punojnë, paguhen rregullisht punëtorët, paguhen taksat dhe tatimet, si dhe ndahet fitimi në rastin kur aksionarë janë disa ortakë, ndërsa e vetmja pengesë për to është tjetërsimi. Ndërkohë, burime të tjera, pranë palës së paditur pohojnë se padia e Delijorgjit, e cila është klasifikuar nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut si çështje prioritare, dhe do të gjykohet me procedura të përshpejtuara shihet si një lloj mekanizmi për t'u përdorur gjatë procesit të pritshëm penal në ngarkim të së akuzuarve të tragjedisë së Gërdecit. Ende nuk dihet nëse pas mbërritjes së observacioneve shpjeguese nga Tirana, Gjykata e Strasburgut do i kërkojë argumente shtesë Delijorgjit. Pronat e Delijorgjit u sekuestruan me një vendim të 22 marsit të këtij viti të Gjykatës së Tiranës. Me kërkesë të prokurorisë, gjykatësi që kishte caktuar masat e sigurisë vendosi që të bllokoheshin të gjitha pasuritë, në të cilat ndodhet emri i Delijorgjit. Më pas edhe gjykatat e tjera e lanë në fuqi këtë vendim në disfavor të Delijorgjit, ndërkohë avokatëve mbrojtës iu dha e drejta për ta paraqitur ankimin në Strasburg. Në vendimin e sekuestros të gjykatës pohohet se janë bllokuar llogari bankare, banesa, kompani, si dhe pasuri të tjera ku i arrestuari për Gërdecin është aksionar apo ortak i vetëm. Po kështu, mes tjerash, Prokuroria ka vendosur sekuestro edhe për banesën e prindërve të Mihal Delijorgjit në Gjirokastër. f.m