E Diel, 1 Nëntor 2026

Trafiku i fishekëve e armëve nga depot, dëgjohen përgjimet e katër ushtarakëve

 

TIRANE – Gjykata për Krimet e Rënda ka dëgjuar dje CD-të me përgjimet telefonike ndërmjet personave të arrestuar nga operacioni “Ciklon 2” në mars të vitit 2007. Në seancën e djeshme në ngarkim të Bashkim Dervinës, Bujar Dokut, Ardit Manës dhe Fillim Palushit prokurori i çështjes Anton Martini ka “servirur” për trupin gjykues disa prej përgjimeve, me anë të së cilave Prokuroria akuzon të pandehurit për trafik armësh. Kërkesa për dëgjimin e CD-ve ishte vetëm e mbrojtësit të së pandehurit Mana. Me telefonatat e zbardhura për gjykatën pala e akuzës sqaroi edhe kodet e përdorura prej të pandehurve. “Dua 10 nga ato shishet me verë të kuqe që kam marrë”, dëgjohej në një prej bisedave. “Kam një shishe nga ato të mëdhatë unë”, flitej mes të pandehurve në një telefonatë të datës 11 mars 2007. Sipas palës së akuzës, termi “shishe me verë të kuqe” përdorej për armët, ndërsa “shishja e madhe” do të thoshte armë e kalibrit të madh. Ndërsa në një bisedë tjetër thuhej “10 kile karamele të vogla”, që sipas Prokurorisë, nënkuptonte për të pandehurit “10 kilogramë fishekë pistolete”. Përfaqësuesi ligjor i Manes kundërshtoi vërtetësinë e përgjimit të një telefonate, që sipas tij nuk i përkiste klientit të tij. Për këtë prokurori i çështjes i kërkoi gjykatës ekspertimin e zërit, vendim për të cilin gjykata do të shprehet në seancën e ardhshme. Të pandehurit e kësaj dosjeje u arrestuan në mars të vitit të kaluar. Sipas Prokurorisë, Dervina dhe Doku kishin trafikuar 6 pistoleta “Mini Blou” nga Kosova në Shqipëri, armë që iu shitën fillimisht Palushit dhe më pas Manes.                  ar.ba

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›