Ulen me 5 për qind sigurimet shoqërore për punëdhënësit
Fabiola Çela
Qeveria ka vendosur të ulë barrën e sigurimeve shoqërore për punëdhënësit.
Duke filluar nga data 1 maj e vitit të ardhshëm, kontributet shoqërore do të ulen 5 për qind. Pra, nga 29.5 për qind që janë aktualisht, nga maji i vitit të ardhshëm masa e kontributit të sigurimeve shoqërore do të jetë 24.5 për qind. Në fakt një vendim i tillë u mor pas rekomandimeve të misionit të FMN-së, pasi në variantin e parë qeveria kishte planifikuar që ulja e kësaj takse të niste nga 1 janari i vitit të ardhshëm.
Vendimi
Për të ulur nivelin e ekonomisë informale, ose e thënë ndryshe për të ulur numrin e punonjësve që punojnë në të zezë, qeveria ka vendosur që të ulë sërish masën e kontributeve të sigurimeve shoqërore. Aktualisht kjo taksë është 29.5 për qind dhe pagesa e saj ndahet ndërmjet punëdhënësve dhe punëmarrësve. Këta të fundit paguajnë kontribut në masën 9.5 për qind të pagës bruto, ndërsa punëdhënësit 29 për qind të kësaj page. Por vitin e ardhshëm masa e kontributit të sigurimeve shoqërore që do të paguajnë punëdhënësit do të jetë 24.5 për qind. Por ulja e kësaj takse do të ketë efekt të dyanshëm. Krahas rritjes së punonjësve të deklaruar, ky vendim do të ketë edhe një efekt negativ në të ardhurat e buxhetit të shtetit. Sipas përllogaritjeve të Ministrisë së Financave, efekti në buxhetin e shtetit pritet të jetë 4 miliardë lekë. Por ky efekt negativ pritet të kompensohet përmes rritjes së numrit të punonjësve në skemën e sigurimeve shoqërore. Kjo, pasi si pasojë e uljes së kësaj takse në vitin 2006 u vu re se volumi i të ardhurave kundrejt një viti më parë ishte 2.8 miliardë lekë më shumë, në vitin 2007 ndaj vitit 2006 shtesa e të ardhurave ishte 3.6 miliardë lekë dhe në vitin 2008 ai përllogaritet rreth 5.2 miliardë lekë më i lartë se në 2007-ën.
Totali i masës së kontributit
Degët e Sigurimit Ishte Bëhet Reduktimi
Për paaftësi të përkohshme 0.8 0.3 0.5
Për barrëlindje 2.3 1.4 0.9
Për pensione 23.9 21.6 2.3
Për aksidente 0.5 0.3 0.2
Për papunësinë 2.0 0.9 1.1
Totali 29.5 24.5 5
Sigurimi shëndetësor 3.4 3.4 0
Shuma 32.9 27.9 5