Infektivi, rriten pagat për mjekët dhe infermierët
Mjekët dhe infermierët e Infektivit në Spitalin “Nënë Tereza” do të përfitojnë një rritje të konsiderueshme page. Qeveria mori dje vendimin që do të hyjë në fuqi nga 1 janari i vitit që vjen. Në total bëhet fjalë për 92 punonjës të këtij shërbimi. Nga sa ka përcaktuar qeveria për mjekët, duke nisur që nga shefi i shërbimit e deri te mjekët radiologë, që trajtojnë të sëmurët me HIV/AIDS, shtesa në pagë do të jetë 8 mijë lekë. Ndërsa për personelin e mesëm, ku përfshihen kryeinfermierë shërbimi, kryeinfermierë reparti e infermierët e thjeshtë, shtesa në pagë do të jetë 10 mijë lekë. “Duke qenë se HIV /AIDS konsiderohet një infeksion madhor për nga vdekshmëria e sigurt dhe për nga kompleksiteti i ndërlikimeve që paraqet, kërkohet impenjim i lartë profesional dhe është menduar shtesa duke u bazuar në kushtet e punës”, thuhet në vendim. Sa i përket stafit të mesëm, nga përllogaritjet e bëra nga Ministria e Shëndetësisë, për shtesën për kushte pune prej 10 mijë lekësh, përfitojnë 74 punonjës, me një efekt financiar 6 milionë në vit. “Ndërsa sipas llogarive për mjekët që përfitojnë shtesën për 8 mijë lekësh, përfitojnë 18 punonjës me një efekt 2 milionë lekë”, saktësohet në vendim. Pjesë e kësaj shtese është edhe ajo për kualifikim master. Aplikimi i kësaj shtese do të nisë në muajin korrik të vitit 2009.