Magjistratët, KLD rrëzon Alibeajn
Fatos Mahmutaj
KLD-ja rrëzon Alibeajn për emërimin e magjistratëve. Shkak për këtë është bërë propozimi i ministrit për të emëruar gjykatës dy prej magjistratëve në Gjykatën e Kavajës dhe dy në atë të Lezhës. Sapo janë njohur me projektin e ministrit, anëtarët e Këshillit e kanë kontestuar atë, duke paraqitur si argumente faktin që Gjykata e Kavajës është shpallur “Gjykatë Karriere” me një vendim të Ilir Rusmalit, paraardhësit të Alibeajt, ndërsa Gjykata e Lezhës aktualisht ka më shumë gjykatës se kapaciteti normal, pasi aty janë emëruar tre gjyqtarë që mbetën pa punë, si pasojë e suprimimit të vendeve një vit e gjysmë më parë. Po kështu, KLD-ja është shprehur dakord për gjashtë propozimet e tjera të ministrit, që kërkonte emërimin e dy magjistratëve në Shkodër, dy të tjerëve në Vlorë, një në Lushnjë dhe një në Korçë. Pas kontestimit të emërimeve në Lezhë dhe Kavajë, Këshilli i ka kërkuar ministrit të votonte vetëm emërimet e gjashtë magjistratëve të tjerë, por kreu i dikasterit të Drejtësisë ka pohuar, se propozimet e tij duhet të pranoheshin apo rrëzoheshin të gjitha së bashku. Pas votimit të këtij propozimi, ministri veç votës së vet ka marrë edhe votat e dy anëtarëve të tjerë të KLD-së, ndërsa pjesa dërmuese e anëtarëve kanë votuar kundër. Një argument i fortë i paraqitur në këtë rast, kundër propozimit të Alibeaj, ishte pretendimi i Këshillit se ministri nuk kishte bërë një studim të mirëfilltë për vendet vakante nëpër gjykata. Sipas tyre, Alibeaj duhet të kryente një studim të mirëfilltë për të evidentuar vendet vakante nëpër gjykata dhe pasi të konsultohej me Këshillin duhet t’i kërkojë Presidentit të Republikës, i cili mban edhe postin e kreut të KLD-së, për ta dekretuar atë. Vetëm pas kësaj ministri mund të bëjë propozime për emërime të magjistratëve. Po kështu, dje KLD-ja vendosi që tetë studentët, që kanë mbaruar vitin e dytë të Magjistraturës të emërohen në Gjykatën e Tiranës për të kryer “Stazh”-in. Burime nga mbledhja pohojnë gjithashtu, se pika e parë e rendit të ditës në mbledhjen e djeshme ishte shqyrtimi dhe miratimi i akteve nënligjore të bazuara në ligjin e gjyqësorit. KLD kishte draftuar paraprakisht tre prej tyre, të cilët janë: “Për rregullat e etikës dhe solemnitetit në gjykim”, “Për procedurat e shortit” dhe “Për sistemin e vlerësimit”. Ndërkohë, burime të Ministrisë së Drejtësisë pohojnë se ministri Alibeaj kërkoi përfshirjen në rendin e ditës të shqyrtimit të aktit nënligjor për përcaktimin e sistemit të pikëzimit për t’u përdorur në procedurën e promovimit të gjyqtarëve, në rastin e emërimit të gjyqtarëve në Shkallën e Dytë. Sipas ministrisë, ky akt është shumë i rëndësishëm, sepse përcakton kriteret bazë dhe procedurën përkatëse të vlerësimit të gjyqtarëve në rastin e kërkesës për promovim dhe rritje në karrierën e tyre. Pikë tjetër e rendit të ditës ishte shpallja e dy vendeve vakante për gjyqtarë në Apelin e kryeqytetit si dhe shqyrtimi i propozimit të Drejtorit të Shkollës së Magjistraturës për miratimin e listës me emrat e gjyqtarëve, që mund të marrin pjesë në sesionet e trajnimit vazhdues, vitin e ardhshëm. Dje KLD-ja pranoi t’i jepte leje gjyqtarit të Korçës Pëllumb Tare, ndërkohë refuzoi të bënte të njëjtën gjë për gjykatësen kryeqytetase Miranda Ndoja. Kjo nëpërmjet një grafie të këmbës kërkonte leje në mënyrë që të kurohej. Nga verifikimi i kryer ka rezultuar, se në dokumentacionin e paraqitur, mungonte opinioni i kryetarit të gjykatës, ku Ndoja punon si një element i domosdoshëm.
Mbledhja e KLD
- Diskutim mbi tre aktet nënligjore të nxjerra nga ligji i Gjyqësorit.
- Rrëzimi i ministrit në votimin për emërimin e 10 magjistratëve.
- Shpallja e dy vendeve vakante në Gjykatën e Apelit Tiranë.
- Emërimi njëvjeçar në Tiranë i 8 magjistratëve stazhierë.
- Shqyrtimi i listës së gjyqtarëve që do të marrin pjesë në trajnime në Shkollën e Magjistraturës vitin e ardhshëm.
- Dhënia e lejes për gjyqtarin e Korçës, Pëllumb Tare.
- Refuzimi i lejes për gjyqtaren kryeqytetase Miranda Ndoja.
- Shqyrtimi i kërkesave për delegime gjyqtarësh.
Topi në KLD: Gjyqësori i sëmurë, vazhdon të jetë larg standardeve
TIRANE - Presidenti i Republikës Bamir Topi, ka bërë dje kritika të forta në adresë të gjyqësorit gjatë mbledhjes së Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Duke vënë në dukje të metat, por edhe arritjet e këtij viti, kreu i shtetit tha se “ka hapa progresivë, por nuk më vjen mirë të them që konstatojmë, që ende sistemi i drejtësisë vazhdon të jetë i sëmurë. Vazhdon të jetë i sëmurë, sepse ne ende jemi larg standardeve”. Më pas Presidenti vlerësoi KLD-në, duke thënë se “Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka operuar në mënyrë shumë profesionale, ka punuar me një frekuencë të lartë për takimet dhe patjetër i është nënshtruar në mënyrë të vullnetshme, por edhe të detyrueshme, një fryme të re të sintonizuar me të gjitha detyrimet, që kanë strukturat e pushtetit gjyqësor, në radhë të parë Këshilli i Lartë i Drejtësisë, me të gjitha sfidat integruese të Shqipërisë”. Kreu i shtetit theksoi nevojën për pavarësinë e gjyqësorit, duke pohuar se “ne kemi kërkuar nga gjykatësit dhe të gjithë aktorët e drejtësisë, kudo, ka qenë pikërisht ndarja me vullnet individual i perceptimit politik të pozicionit. Është e pamundur të themi që njerëzit janë të shkëputur nga influencat politike, është e pamundur”. Më pas, Presidenti kërkoi rifreskimin e organeve të gjyqësorit me emra të rinj, duke pohuar se “është shumë e rëndësishme, edhe për atë pikë që ne kemi sot, në një nga pikat e rendit të ditës, unë do të doja ta theksoja disi nga të tjerat, ka të bëjë pikërisht me rinovimin me gjyqtarë të rinj, që vijnë nga Shkolla e Magjistraturës”.