Gjykata dënon me 7 vite burg pedofilin e moshuar
VLORE - Gjykata e Vlorës dënoi dje me 7 vjet burg një 61–vjeçar, i cili akuzohej për “marrëdhënie homoseksuale me dhunë e mbetur në tentativë”. Ksenofon Janku u arrestua më 12 shkurt 2008, pasi tentoi të abuzonte me një të mitur. Janku punonte me babanë e 7- vjeçarit, A.M, si rojë privatë në një nënstacion elektrik. Ditën e ngjarjes, ai e ka parë fëmijën duke lozur me shokët dhe e ka thirrur. “Hajde të të jap diçka t’ia çosh babait tënd”, mësohet t’i ketë thënë Janku. I mituri është afruar, por burri e ka tërhequr atë drejt dhomave të ish-fabrikës së çimentos. Atje e ka zhveshur fëmijën dhe më pas edhe vetë. Të bërtiturat e të miturit fatmirësisht i dëgjoi një kalimtar, i cili kapërceu murin për ta parë se çfarë po ndodhte. Kur është futur brenda, gjeti djalin dhe rojën të zhveshur. Ai arriti ta marrë me forcë të miturin, të cilin e çoi te prindërit duke iu treguar gjithçka kishte ndodhur. Ata sinjalizuan policinë, e cila arrestoi 61-vjeçarin, ndonëse ai nuk e pranoi akuzën. Pas prangosjes, Janku pohoi se djalin e kolegut të tij e kishte thërritur për t’i dhënë një çelës për të atin. q.b