E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gërdeci, Gjykata merr dëshminë e ish-drejtorit

Dritan Minxolli në Gjykatë

Dritan Minxolli, një nga të pandehurit e dosjes Gërdeci në Gjykatën e Tiranës, refuzoi dje të pyetej përpara palëve në lidhje me akuzat e ngritura ndaj tij.Minxolli nuk dha pëlqimin për tu pyetur, por tha se i qëndronte të gjitha deklarimeve të dhëna prej tij në fazën e hetimeve paraprake. Në këto kushte, treshja gjykuese e kryesuar nga gjyqtari Ridvan Hado, administroi në dosje tre procesverbale të deklarimeve të Minxollit në Prokurori. Edhe e pandehura Juliana Margariti nuk pranoi dje të pyetej para gjykatës. Ndërsa i pandehuri Fiqiret Mato, ish-drejtuesi i Uzinës Ushtarake të Gramshit, sqaroi dje pse nuk i kishte kthyer përgjigje Shtabit të Përgjithshëm për kërkesën për përcaktimin e kostos së demontimit për disa lloje municionesh. Unë nuk mund të përgjigjesha për koston, pasi unë nuk kisha teknologji për municionet që më ishin kërkuar. Nuk më kërkohej të përcaktohej kostoja e asnjërit prej kalibrave që ishin demontuar në Gramsh, tha i pandehuri Mato.
DEKLARIMET
Tre deklarimet e dhëna në Prokurori nga i pandehuri Dritan Minxolli, përkatësisht në 24 qershor dhe 1 e 8 korrik të vitit 2008, u lexuan dje në procesin me 29 të pandehur të akuzuar për shpërthimin e 15 marsit 2008. Në këto deklarime, Minxolli pohonte se punën e tij si drejtor i Fabrikës së Demontimit në Gërdec ia kishte komunikuar Mihal Delijorgji. Në vijim, marrëdhëniet e punës ai i kishte pasur me administratorin tjetër të Albademi, amerikanin Patrik Henri. Kjo, për shkak se Henri ishte specialist i fushës në të cilën do të kryhej aktiviteti. Minxolli përmendte praninë e një rregulloreje të sigurimit teknik për punonjësit e fabrikës. Ata do të firmosnin rregulloren e sigurimit teknik, mbi mbarëvajtjen e punës, përpara se të fillonin procesin e punës, çka i bënte me dije për gjithçka ndodhte aty brenda. Asnjë person nuk fillonte punë pa filluar këtë proces, thuhej në deklarim. Në sqarimin e procesit të demontimit, ish-drejtori Minxolli përmendte veglat me të cilat punohej në Gërdec. Çdo grup ishte i përbërë nga 4-5 persona, ishte i pajisur me veglat e punës: levë hekuri, daltë, pinca, darë, çekiç, magnet, doreza dhe karrocë transporti metalike me katër rrota, që i kishin sjellë amerikanë apostafat për këtë punë, citohej në një nga deklarimet. Sipas Minxollit, përgjegjës për kushtet e sigurimit teknik ishte pala amerikanë. Përgjegjës për kushtet e sigurimit teknik ka qenë pala amerikane. Nisur nga ky fakt, kam zbatuar me përpikmëri të gjitha kushtet e vendosura nga pala amerikane, pohohej në deklarime. Më tej, Minxolli mohonte të kishte dijeni për vënien në dispozicion të tij ndonjë rregullore nga ana e ndërmarrjes MEICO apo ndonjë komande ushtarake. Po sipas tij, në çdo cep të fabrikës dhe pranë çdo makinerie ndodheshin në gatishmëri fikës zjarri dhe sasi të mëdha uji, që mund të shërbenin në çdo rast dhe janë përdorur me efikasitet të plotë.

ARMAND BAJRAMI

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›