PAMECA shtyn misionin, ndihmë në hetimin e pasurive të zyrtarëve

Nga takimi i djeshëm
TIRANE – Ekspertë të misionit PAMECA që asiston policinë shqiptare dhe inspektorë të Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, do të verifikojnë pasuritë e zyrtarëve që dyshohet të jenë të fshehura jashtë Shqipërisë. Ky është edhe një prej qëllimeve që misioni PAMECA shtyu edhe për një vit prezencën në vendin tonë, madje BE financoi vazhdimin e projektit me shumën 7 milionë euro. Kreu i ILDKP, Adriatik Llalla, pas takimit të organizuar nga Ministria e Brendshme dhe drejtuesit e misionit PAMECA, deklaroi se do të hetohen rastet e fshehjes së pasurive nga zyrtarë të niveleve të ndryshme jashtë Shqipërisë. PAMECA ka sjellë ekspertë pranë ILDKP dhe do të hetojmë rastet e fshehjes së pasurive jashtë Shqipërisë. Janë disa raste në proces verifikimi, mes të cilave edhe disa zyrtarë të niveleve të ndryshme që po verifikohen, u shpreh Llalla, pas takimit me bordin e palëve të interesuara të PAMECA III. Ndërsa ambasadori i BE në Tiranë, Etore Sequi, i pranishëm në takimin e djeshëm, nënvizoi se deri tani BE ka financuar projektin me rreth 7 milionë euro. Me zgjatjen edhe me një vit të projektit PAMECA III, synohet të konsolidohet veprimtaria e Policisë së Shtetit në disa fusha, si parandalimi dhe zbulimi i krimit në të gjitha nivelet, rritja e kapaciteteve të hetimit të Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive ejt., u shpreh Sequi, gjatë fjalës së tij në takim. Ndërsa ministri i Brendshëm Bujar Nishani, vlerësoi rolin e policisë në zgjedhjet e 8 majit dhe u shpreh se ajo nuk ra pre e provokimeve të ndryshme, duke iu referuar protestave të deputetëve të Partisë Socialiste përpara Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Kam kënaqësi të ndaj eksperiencën pozitive të Policisë së Shtetit që ka ditur të përballet me provokime për thyerjen e rendit dhe qetësisë me guxim dhe qetësi, larg ndikimit politik, deklaroi Nishani. Bordi i palëve të interesuara të projektit PAMECA III, pasi analizoi të gjithë veprimtarinë e zhvilluar deri më tani, miratoi në këtë mbledhje planin e punës edhe për një vit tjetër shtesë të këtij projekti, tej afatit të parashikuar 2008-2011.