E Diel, 1 Nëntor 2026

Kreu i Gjykatës së Lartë: Ka korrupsion në gjyqësor

Në radhët e gjyqësorit të
sotëm është prezent fenomeni
i korrupsionit. Kjo
është deklarata e parë publike e
kryetares së Gjykatës së Lartë,
Shpresa Beçaj, e cila ka reaguar në
lidhje me lirimet dhe pushimet
e dhjetëra dosjeve nga Gjykata
Supreme. Sipas saj, krahas korrupsionit
në drejtësinë shqiptare
ekzistojnë sekserë, të cilët janë jo
të paktë. "Çdo qytetar shqiptar
duhet të kuptojë domosdoshmërisht
se drejtësinë duhet ta
kërkojë dhe ta gjejë te pushteti
gjyqësor e jo te sekserët, të cilët
janë fatkeqësisht jo të paktë në
numër ndër avokatë, punonjës
të agjencive shtetërore e private
dhe ndërmjetës të tjerë
të paligjshëm", tha kryetarja e
Gjykatës së Lartë, Shpresa Beçaj,
duke shtuar se transparenca e
veprimtarisë gjyqësore e "detyroi"
të dalë para opinionit të gjerë
publik dhe të qartësojë misionin
kushtetues dhe ligjor të drejtësisë
në Shqipëri.
Imuniteti i gjykatës
Beçaj, në deklaratën e parë
publike, shpjegoi se në krye të
pushtetit gjyqësor qëndron Gjykata
e Lartë, si shkalla më e lartë e
sistemit gjyqësor për dhënien e
drejtësisë dhe si gjykatë ligji që
ka në kompetencë të vendosë
përfundimisht për ligjshmërinë
e vendimeve të gjykatave të
Apelit e të rretheve gjyqësore,
duke vlerësuar respektimin ose
zbatimin e keq të ligjit gjatë marrjes
së vendimeve dhe shkeljet
procedurale që kanë ndikuar në
dhënien e këtyre vendimeve. Ajo
ka pranuar "de jure" se prishja e
dhjetëra vendimeve nga Gjykata
Supreme, qofshin këto të Gjykatës
së Krimeve të Rënda, janë bërë si
pasojë e gabimeve procedurale.
Por deklarata publike lidhet edhe
me prishjen e dosjes "Durrës-
Kukës", ku gabimet procedurale
të prokurorisë "shpëtuan" ishministrin
e Transporteve, Lulzim
Basha, nga një abuzim prej 230
milionë eurosh. Gjithashtu, "gabimet"
e gjykatave të vogla kanë
detyruar në prag të sezonit veror
që anëtarët e Gjykatës Supreme
të vendosin për lirimin e disa
të pandehurve të akuzuar nga
Prokuroria për Krime të Rënda.
Reagimi i gjyqtares dhe kryetares
së Gjykatës së Lartë është bërë
në një kohë që disa punonjës në
Gjykatën Supreme kanë marrë
pushimet verore. Përpos këtyre,
në deklaratën publike të zonjës
Beçaj thuhet se Gjykata e Lartë ka
imunitet, si edhe kompetencë për
interpretimin e ligjit në dhënien
e drejtësisë nga gjykatat e shkallëve
më të ulëta. "Gjykata e Lartë
ka pavarësi të plotë në dhënien e
vendimeve, autoritet e integritet
të lartë, imunitet dhe garanci
kushtetuese e ligjore", thotë Beçaj.
Më pas thotë se Gjykata e Lartë
shprehet vetëm me vendime të
arsyetuara dhe të argumentuara.
Kryetarja e Gjykatës së Lartë ka
"sulmuar" median dhe politikën
për interpretime të vendimeve
të saj. Ajo thotë se çdo pjesë ose
paragraf i arsyetimit të vendimit
të Gjykatës së Lartë, e interpretuar
mediatikisht dhe/ose politikisht
në mënyrë të shkëputur nga
përmbajtja tërësore e vendimit
dhe provave të administruara në
dosjen gjyqësore, përbën vlerësim
e qëndrim joprofesional, të njëanshëm
dhe dashakeqës. Në fakt,
media ka publikuar vetëm vendimet
e Gjykatës së Lartë, në rastet
e prishjes së vendimeve, por edhe
për lirimet e disa individëve të
cilësuar nga prokuroria si "kriminelë".
Megjithatë, Beçaj pranon se
në sistemin gjyqësor është prezent
fenomeni i korrupsionit, por nuk
përcakton nëse në gjykatën që
drejton ka raste të tilla.
Korrupsioni në gjyqësor
Kryetarja e Gjykatës së Lartë
tha se organet e specializuara të
ngarkuara me ligj për zbulimin
dhe goditjen e këtij korrupsioni
punojnë në mënyrë konstante për
plotësimin e detyrës së tyre, por
mediat, analistët, njerëzit e veshur
me pushtet politik apo shtetëror,
krahas domosdoshmërisë së denoncimit
me fakte dhe prova të
fenomenit korrupsion në gjyqësor,
duhet që në mënyrë po kaq
konstante të injektojnë në opinionin
publik idenë se çdo problem, i
madh apo i vogël që është shtruar
për zgjidhje në organet e drejtësisë,
zgjidhjen e drejtë dhe ligjore
do ta gjejë në gjykatë. Në lidhje
me sekserët në gjykata, Beçaj tha
se "publiku dhe të gjithë faktorët
politikë, shoqërorë dhe ligjorë
duhet të kontribuojnë me forcë
dhe vendosmëri për evidentimin
dhe goditjen e këtyre spekulantëve,
jashtë dhe brenda drejtësisë,
duhet të punojnë pandërprerë
në drejtimin e ndryshimit të
një mentaliteti të gabuar e tepër
të dëmshëm që ekziston sot, se
atë që të takon apo pretendon se
të është mohuar, mund ta fi tosh
lehtë nëpërmjet korruptimit të
gjyqtarëve dhe prokurorëve të
veçantë". Sipas saj, për të garantuar
parimin e ligjshmërisë të
shtetit juridik, në Kodin Penal janë
parashikuar veprat penale kundër
veprimtarisë shtetërore të kryera
nga persona të ngarkuar me
funksione në shërbimin publik, ku
përfshihen edhe të gjithë gjyqtarët
e të tre shkallëve të gjyqësorit.
"Gjithkush duhet të bindet dhe të
kërkojë me forcë që të drejtën ta
fitojë vetëm nëpërmjet rrugëve
ligjore dhe drejtësisë", përfundoi
kryetarja e Gjykatës së Lartë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›