E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Gërdeci", Mediu e Topalli sulmojnë Ina Ramën

"Jam gati të hetohem në çdo moment për tragjedinë e Gërdecit, ndaj i kërkoj Kuvendit të përshpejtojë procedurat për heqjen e imunitetit tim". Kështu i është drejtuar dje deputeti i PR-së, Fatmir Mediu, Këshillit të Imunitetit dhe Mandateve. Në mbledhjen e djeshme, e cila ka zgjatur për gati tri orë e gjysmë, ku për rreth 90 minuta, deputeti Mediu nëpërmjet një deklarate mjaft të gjatë ka mbrojtur veten ndaj akuzave të prokurorisë, duke kundërsulmuar ashpër dy institucione: Prokuroren e Përgjithshme dhe Shtabin e Përgjithshëm. Gjatë gjithë fjalës së tij, Mediu ka theksuar se ai nuk ndihet përgjegjës për katastrofën e Gërdecit, lidhur me praktikat që ka ndjekur, pasi nuk ka bërë asnjë shkelje ligjore. Duke hedhur poshtë pretendimet e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, se është anashkaluar në lidhje me Gërdecin, deputeti Mediu ka theksuar se për asnjë moment si ministër i Mbrojtjes, nuk i ka anashkaluar krerët e Forcave të Armatosura, por i ka vënë në dijeni për praktikat e ndjekura nga ana e tij. Mediu ka theksuar se nuk ka ndodhur e njëjta gjë nga ana e Shtabit të Përgjithshëm, i cili nuk e ka informuar dhe nuk e ka vënë në dijeni të plotë ministrin për atë që ndodhte realisht në Gërdec. "Shumë informacione", tha Mediu, "i kam marrë vesh pas tragjedisë". Duke u bazuar gjatë gjithë fjalës së tij në shkresa që i kishte përpara, Mediu ka theksuar se për të gjitha veprimet që janë ndjekur nga marrja e vendimit dhe deri ditën kur ndodhi tragjedia, Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë ka qenë në dijeni në lidhje me praktikat që ai ka ndjekur si ministër dhe kjo vërtetohet nëpërmjet shkresave marrëse dhe përcjellëse si nga ana e tij ashtu edhe nga e drejtuesve të Shtabit të Përgjithshëm. "Forcat e Armatosura jo vetëm kanë dijeni për autoritetet më të larta ushtarake për të cilat kanë vizituar dhe vlerësuar demontimin në Gërdec, por ministri nuk ka marrë asnjë njoftim me shkrim apo me gojë nga Shtabi i Përgjithshëm, komanda e Shërbimit Informativ të Ushtrisë, Policia Ushtarake apo struktura të tjera për ndonjë problem apo mosrespektim të ligjit, urdhrit apo rregullit, për sa i takon demontimit në Gërdec", është shprehur Mediu. Gjithashtu, ai nuk ka "përtuar" të përmendë një për një, të gjithë numrat e shkresave dhe datat e veprimit ku vërtetohen ligjërisht praktikat e ndjekura. Por, duke hedhur akuza edhe mbi organin e prokurorisë, Mediu ka theksuar se këto shkresa kopje të të cilave ai i disponon dhe i ka bërë publike para mediave në këshill, nuk janë vënë në dispozicion të deputetëve nga ana e Prokurorisë së Përgjithshme, akuzë kjo e cila është përforcuar edhe nga Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli. "Unë do t‘ju vë në dispozicion 8 volume me shkresa dhe dokumentacione, një pjesë madhe e të cilave nuk kanë ardhur nga prokuroria, nuk i ka sjellë Prokuroria e Përgjithshme, për t‘ua vënë në dispozicion, Parlamentit. Ata i janë fshehur Parlamentit", është shprehur Topalli. Por pavarësisht këtyre deklaratave dhe dokumenteve të shumta të vënë në tryezën e punës të mbledhjes së Këshillit të Imunitetit, ca nga prokuroria dhe ca të siguruara për deputetët në rrugë të tjera, deputeti i PS-së, Besnik Dervishi, ka kërkuar që të përshpejtohet puna për heqjen e imunitetit të deputetit Mediu. Propozim i cili në parim është pranuar nga Kryetarja Topalli, por ajo ka premtuar se do të respektojë rregulloren e Kuvendit, ndaj ka vendosur t‘u japë kohë deputeteve të shqyrtojnë dosjet dhe në mbledhjen e ardhshme të merret vendimi për heqjen ose jo të imunitetit të deputetit Mediu.

Këshilli, mungojnë opozitarët

Në mbledhjen e djeshme të Këshillit të Imunitetit dhe të Mandateve është vënë re mungesa e deputeteve të opozitës. Në këtë mbledhje, dje ka marrë pjesë vetëm deputeti Besnik Dervishi, ndërkohë që katër deputetët e tjerë për arsye të ndryshme nuk kanë qenë prezentë në sallën. Para fillimit të mbledhjes së këshillit, sekretariati i Kuvendit i ka bërë të ditur Kryetares Topalli para medias arsyen pse këta deputetë nuk kanë qenë të pranishëm në mbledhje. Sipas sekretariatit, deputeti Petro Koçi e ka pasur të pamundur pjesëmarrjen në mbledhjen e këshillit, pasi prej dy ditësh ndodhej për një vizitë në Kosovë. Deputetja Angjelina Kola, ka pasur një arsye private, për mungesën ngaqë ka shtruar nënën e saj në spital. Me deputetin Albert Çaçi, sipas sekretarit, ka qenë e pamundur të kontaktohet, pasi ai mban prej dy ditësh të fikur telefonin, ndërsa deputeti Tavo nuk ka ardhur, pasi ndodhej jashtë Tirane.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›